Deputetja boshnjake në Kuvendin e Kosovës, Duda Balje, është parë sot në një kafene në Çarshinë e Shkupit, vetëm disa hapa larg selisë së Izet Mexhitit, lider i Lëvizjes Demokratike dhe një prej figurave kyçe të koalicionit opozitar shqiptar VLEN në Maqedoninë e Veriut.
Për të cilin u përfol se ishte personi që i ofroi vendin e punës si profesoreshë në Shkup në këmbim të votës së saj për Albulena Haxhiut si kryekuvendare.
Pas raportimeve se ndodhet në Shkup, ka reaguar vetë deputetja me ironi përmes një fotografie të publikuar në rrjete sociale.
“Jemi në Shkup ju e dini, por jo te Izeti, por te Ismeti dhe ju përshëndesim”, thuhet në postimin ku shfaqet me bashkëshortin në një motor.


Ka qenë vet Balje ajo që ka konfirmuar se ka pasur tentime nga pushtetit për t’ia blerë votën.
“Po është e vërtetë. Pata disa thirrje prej personave që nuk janë bash direkt të politikës, janë në shoqëri. Unë para disa vitesh kam apliku për profesoreshë në Maqedoni edhe kam plotësu krejt kushtet ama më nuk kam apliku. Ama tash më kanë thënë se ka mundësi me diskutu për vendin e punës si profesoreshë”, kishte thënë Balje para disa ditësh.
Duke komentuar këtë deklaratë të Baljes, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka aluduar se këtë pozitë Vetëvendosje ia ka ofruar Baljes përmes koalicionit VLEN në Maqedoninë e Veriut, të cilin Vetëvendosje e kishte përkrahur gjatë zgjedhjeve atje.
“Edhe këta i kanë ndihmuar që të vijnë në pushtet”, tha Kadrijaj.
Balje ka thënë se e ka refuzuar këtë ofertë.
Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka mohuar kategorikisht përfshirjen në çështjen e ngritur nga deputetja Duda Balje, e cila ka deklaruar se i është ofruar një pozitë profesoreje në Shkup në këmbim të votës për ministren Albulena Haxhiu.