“U shemb betoni” – çfarë dihet për rastin tragjik në Vjenë ku mbetën të vdekur tre shtetas kosovarë

Tre shtetas kosovarë kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së betonit në një kantier ndërtimi në Vjenë pasditen e së martës.

Pajtim Bajrami, Asllan Musliu e Istref Zekaj, janë tre nga katër viktimat e rastit tragjik që tronditi kryeqytetin austriak.

Aksidenti thuhet se ka ndodhur rreth orës 14:30 gjatë punimeve në një objekt banimi.

“Gjatë punimeve të ndërtimit, skelet dhe pjesët e kallëpeve, si dhe sasi të mëdha betoni janë shembur”, ka thënë zëdhënësi për media i brigades së zjarrfikësve në Vjen.

Siç kanë rrëfyer dëshmitarët në vendin e ngjarjes, shembja e betonit i ka zënë në tokë pesë punëtorë.

Përkundër reagimit të shpejtë të urgjencës dhe qytetarëve të pranishëm, vetëm njëri nga pesë punëtorët ka arritur të shpëtohet.

Ai është një 45-vjeçar dhe thuhet se ka pësuar lëndime të rënda në kokë.

Vdekjen e shtetasve kosovarë e kishte konfirmuar mbrëmë Ambasada e Kosovës në Austri. Fillimisht ishte konfirmuar vdekja vetëm e dy shtetasve, ndërsa më vonë kishin njoftuar edhe për viktimën e tretë.

Për vdekjen e shtetasve kosovarë ka reaguar sot edhe kryeministri Albin Kurti.

Ai ka ngushëllime për familjet e viktimave, teksa ka thënë se janë në komunikim të ngushtë me ambasadën tonë në Vjenë për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme.

“Na ka tronditur thellësisht lajmi për vdekjen tragjike të disa personave në Austri. Sipas informacioneve zyrtare nga Ambasada jonë atje, tre prej tyre janë identifikuar si qytetarë të Republikës së Kosovës. Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe. Qeveria e Republikës së Kosovës është në komunikim të ngushtë me Ambasadën tonë në Vjenë për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme”, ka shkruar Kurti.