“U refuzova unë, u refuzua Glauku”; “janë larguar prej LDK-së” – Kurti ‘shfryn’ në intervistë pas fitores

U refuzova’… “U refuzua edhe Glauku”… “Qytetarët e panë të qartë se kush mban përgjegjësi”.

Në një intervistë për KosovaPress, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e cilësoi rezultatin si një ‘plebishit’ dhe ‘fitore historike referendare’. Për Kurtin, ky verdikt popullor erdhi si reagim i drejtpërdrejtë ndaj asaj që ai e quajti ‘bllokadë politike’ të vitit të kaluar – veçanërisht refuzimit të partive të tjera për të zhbllokuar formimin e institucioneve nën drejtimin e tij apo të Glauk Konjufcës.

“Njëlloj plebishiti, një fitore referendare, madje historike e cila, edhe për nga përmasa absolute edhe për nga përqindja relative, po e tejkalon edhe atë të 14 shkurtit 2021. Prandaj do të jetë një mandat i cili na jep shumë shpresë përpara për shkak të mbështetjes popullore.”

Për Kurtin, rezultati i 28 dhjetorit ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë e qytetarëve ndaj ngërçit institucional që karakterizoi vitin 2025. Ai rikujtoi se si ish-opozita refuzoi mandatarët e LVV-së për kryeministër (përfshirë vetë atë dhe Glauk Konjufcën) dhe bllokoi procese jetike për ekonominë.

“U refuzova unë të të bëhem kryeministër, pastaj u refuzua edhe Glauk Konjufca që të bëhet kryeministër në mandatin e ri. Kulmin ia vendosi refuzimi për pjesëmarrjen në seancë ku do të duhej të miratohej buxheti 2026, pastaj tri marrëveshjet me Bankën Botërore dhe gjithashtu Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian që, gjithsej, këto të fundit bënin mbi 1 miliardë euro. Unë besoj që qytetarët e Republikës e panë të qartë se kush mban përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhemi, prandaj na u dha një mandat edhe më i fuqishëm se më herët.” – u shpreh ai.

Ndër të tjera Kurti u pyet për performancën e dobët të LDK-së, ku deklaroi se, sipas tij, refuzimi për komunikim dhe bashkëpunim pas 9 shkurtit nuk ka qenë qasje racionale.

Ai shtoi se në atë situatë politike nuk ka pasur alternativë tjetër të qartë për të ecur përpara, çka, sipas tij, mund të ketë ndikuar në zhvendosjen e një pjese të elektoratit të LDK-së.

“Përshtypja ime është që, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, udhëheqja e LDK-së u pa nga qytetarët e Republikës si bllokuese e çfarëdo bashkëpunimi. Në kushtet kur del subjekti i tretë, dhe me një dallim të madh prej të parit e jo të vogël edhe prej të dytit, të mos dëshirosh as të komunikosh, as të takohesh, as të bashkëpunosh, nuk mendoj që ka qenë racionale. Në anën tjetër, nuk ka pasur asnjë lloj alternative se si të ecet përpara. Në këtë kuptim, ka mundësi që një numër i konsiderueshëm i votuesve të LDK-së që kanë dashur ta shohin koalicionin me Vetëvendosjen në legjislaturën e kaluar, janë larguar prej mbështetjes së LDK-së”, tha Kurti.

I pyetur rreth njoftimit të Presidentes Vjosa Osmani për rikandidim, Kurti u tregua i rezervuar, duke insistuar për një hierarki të prioriteteve.

“Ne e kemi parë deklarimin e Presidentes. Së pari, duhet ta formojmë Kuvendin e Qeverinë, gjithashtu duhet ta votojmë buxhetin. Unë besoj që këta janë hapat më të rëndësishëm. Pra, janë tre hapa para se të vijmë te rizgjedhja e Presidentes, dhe unë besoj që nga këta tre hapa ne do të shohim se si janë gjasat përpara. Unë kam deklaruar që është e rëndësishme që të ulemi me Presidenten dhe të diskutojmë të gjitha gjërat. 80 vota në sallë është vështirësi e konsiderueshme.

Përderisa kësaj radhe ne 61 vota i kemi, 80 nuk i kemi, dhe këto marrëveshje ndërkombëtare të cilat po përpiqemi t’i kalojmë sa më shpejt, unë besoj gjithashtu që mund të na japin indikacione për rrugën përpara. Nuk besoj që është e drejtë dhe e dobishme që të flasim për hapin e katërt pa i parë të tre të parët. Vetëm pasi t’i kemi kaluar këta tre hapa, ne mund të flasim.” – tha Kurti për “KosovaPress”.

Ai shtoi se skenari i zgjedhjeve të jashtëzakonshme është një mundësi reale, jo vetëm teorike, prandaj insistoi që hapat të ndiqen me radhë, duke refuzuar të tregonte nëse do ta përkrahë rikandidimin e Osmanit.