U raportua se u rrezikua stafi dhe pacientët nga një përleshje fizike, SHSKUK e demanton deklaratën e mjekut

Pas raportimeve për një incident të ndodhur të shtunën në Klinikën Emergjente të QKUK-së, ku sipas mjekut kujdestar Avdush Bajgora pacientët dhe stafi mjekësor thuhet se u rrezikuan nga një përleshje fizike mes disa personave, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka reaguar duke mohuar këto pretendime.

Në një deklaratë zyrtare, SHSKUK thekson se siguria në këtë institucion është e garantuar në çdo moment nga prania e policisë dhe punëtorëve të sigurimit, duke shtuar se deklaratat e bëra nuk pasqyrojnë realitetin.

“Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me disa deklarata të bëra së fundmi, të cilat nuk pasqyrojnë realitetin në institucionin tonë. Theksojmë qartë se mjekët, stafi mjekësor dhe ai mbështetës nuk janë të rrezikuar në asnjë moment gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në QKUK. Në Klinikën Emergjente janë të kontraktuar 24 orë policë dhe punëtorë sigurimi, të cilët kujdesen për sigurinë e stafit dhe pacientëve”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së.

Mjeku kujdestar Avdush Bajgora, tha më herët se pacientët dhe stafi mjekësor ishin të rrezikuar pasi që miq të viktimave – njëri i therur në shpinë e tjetri i lënduar në kokë nga mjete të forta – u përleshën fizikisht në QKUK.

Shërbimi Spitalor Klinik thotë se për rastin në fjalë, Policia ka ndërhyrë menjëherë.

“Është e vërtetë që stafi ynë trajton raste të ndryshme, përfshirë edhe ato të ndjeshme apo me të dyshuar për vepra kriminale, por asnjëherë nuk ka pasur rrezikim të drejtpërdrejtë të stafit mjekësor. Në rastet kur ka pasur situata që kërkonin ndërhyrje, sigurimi dhe policia kanë reaguar menjëherë dhe me profesionalizëm – siç e pranon edhe vetë mjeku në deklaratën për të cilën po reagojmë”, thotë SHSKUK.

“Prandaj, konsiderojmë se deklarata të tilla janë të pamatura dhe të pabazuara, dhe nuk ndihmojnë në ndërtimin e një klime të mirëbesimit dhe bashkëpunimit në sistemin shëndetësor. QKUK mbetet e përkushtuar për të ofruar shërbime të sigurta dhe cilësore për qytetarët, duke garantuar një ambient të mbrojtur për të gjithë punonjësit e saj”, thuhet në reagim.