Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar ndaj lajmit të analistit izraelit Amit Segal se administrata Trump është në bisedime me qeverinë në Tiranë për të sjellë në Shqipëri 100 mijë palestinezë.
“Burimet izraelite besojnë se Egjipti dhe Jordania do të refuzojnë të presin refugjatë dhe pretendojnë se opsionet si Shqipëria dhe Indonezia janë më të realizueshme”, shkroi Segal në ‘X’. Por mbi këtë lajm ka reaguar kryeministri Edi Rama duke e cilësuar si të pavërtetë.
Përmes një postimi në ‘X’, ai thekson se nuk është e vërtetë një gjë e tillë dhe se Shqipëria nuk e ka kapacitetin për të marrë përsipër një përgjegjësi dhe të tillë dhe shpjegon se nuk i është kërkuar nga askush një sipërmarrje e këtij lloji.
Ai thekson më tej se vetë Shqipëria nuk është në Lindjen e Mesme dhe “nga zemra e Europës, ne nuk mund të bëjmë më shumë se çdo vend tjetër evropian për një çështje të tillë”.
“Jemi krenarë për miqësitë tona të forta me Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Katarin, Kuvajtin dhe, natyrisht, me popullin palestinez, shtetin e të cilit Shqipëria e ka njohur shumë kohë më parë.
Por Shqipëria nuk është vetë në Lindjen e Mesme dhe nga zemra e Europës, ne nuk mund të bëjmë më shumë se çdo vend tjetër evropian për një çështje të tillë.
Megjithatë, ne dëshirojmë dhe lutemi që popullit palestinez t’i jepet shansi të jetojë në shtetin e tij, si njerëz të lirë nën sundimin demokratik, dhe që Hamasi të mos jetë më kurrë në gjendje të dëmtojë Izraelin – ose, para së gjithash, vetë palestinezët”, shkruan kryeministri Rama.