U përkujtuan sot dëshmorët Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala në akademinë përkujtimore në 20 vjetorin e rënies së tyre në Betejën e Koshares.
Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi tha se Xhemajl Fetahaj ka një biografi të jashtëzakonshme në kontributin e dhënë për Kosovën.
“Rënia e dëshmorëve tregon çmimin e lartë të pavarësisë dhe lirisë se Kosovës. UÇK-ja është projekti më produktiv i historisë Kosovës”, tha Thaçi.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj tha fjalë të mëdha për heroin Xhemajl Fetahaj, të cilin e cilësoi si njërin nga personat kyç për lirinë e Kosovës.
“Është një rast se si një familje shqiptare jep gjithçka për çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Duke qenë kështu ne kemi për nder që t’i nderojmë gjithë këta persona për rrugën tonë deri në liri”, tha Haradinaj.
Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha tha se përmes vlerësimit të heronjve të Brigadës 138 nderohet dhe beteja e Koshares.
Ndërsa vajza e dëshmorit Xhemajl Fetahaj, Erza Fetahaj kritikoi për akademitë e kaluara që janë mbajtur ku theksoi se babai i saj nuk i ka takuar asnjë krahu, por vetëm UÇK-së.
“Ai i takonte Organizatës që themeloj UÇK-në, nuk i ka takuar asnjë krahu, por i ka takuar vetëm UÇK-së, ai ka shkuar në luftë për askënd por vetëm për Kosovën”, tha ajo./Fokusi.info/