U kap duke shitur drogë në Gjakovë, i akuzuari dënohet me dy vjet burg dhe një mijë euro gjobë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me dy vjet burgim dhe gjobë 1 mijë euro të akuzuarit për blerje-shitje të narkotikëve.

“Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit S.K., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, akuzohet për “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Kryetari i trupit gjykues, Drilon Haraçia, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, pasi i pandehuri e pranoi fajësinë, e shpalli fajtor dhe ndaj tij shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) vjetësh, si dhe dënim me gjobë në shumën prej njëmijë (1000) euro”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i akuzuari më 14 korrik të këtij viti në Gjakovë ka shitur narkotikë të llojit marihuanë dhe kokainë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, janë sekuestruar edhe fishekë të kalibrit 9×19.

“I pandehuri akuzohet se më datën 14 korrik 2025, në Gjakovë, pa autorizim, ka shitur substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge, në atë mënyrë që hetuesit e DHTN-së kanë vërejtur të pandehurin, tek i cili në një moment është afruar blerësi E.V., dhe në momentin kritik i pandehuri i ka dorëzuar këtij të fundit një qese me
substancë narkotike në këmbim të shumës prej pesë (5) eurosh. Më pas, tek i pandehuri janë gjetur dhe sekuestruar katër (4) qese të mbushura me substancë narkotike, si dhe një (1) kartëmonedhë në vlerë prej 5 euro. Nga ana e hetuesve, në mënyrë urgjente është kryer kontrolli dhe bastisja në banesën e të pandehurit, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej nëntëmbëdhjetë (19) qese me substancë narkotike të llojit marihuanë, tetë (8) qese me substancë narkotike të llojit kokainë, si dhe një (1) fishek i kalibrit 9×19 mm. Pas ekzaminimit nga Agjencia e Kriminalistikës dhe Forenzikës (AKF), është konstatuar se bëhet fjalë për substanca narkotike të llojit marihuanë me peshë 14.09 gramë dhe kokainë me peshë 2.86 gramë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.