Prokuroria Themelore në Prizren ka arrestuar tre të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me narkotikë dhe armëmbajtje pa leje.
Operacioni i Policisë është zhvilluar në Suharekë pas infiltrimit të zyrtarëve policorë brenda grupit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, në operacionin e zhvilluar sot janë sekuestruar rreth 2 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit “heroinë”.
“Gjatë operacionit në aplikim të masave të veçanta hetimore dhe në infiltrim brenda grupit janë sekuestruar rreth 2 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit “heroinë”, e cila dyshohet të ketë qenë e destinuar për treg ilegal”, thuhet në njoftim.
“Gjatë zbatimit të urdhërkontrolleve në lokacione të ndryshme, janë gjetur dhe sekuestruar një numër i konsiderueshëm armësh dhe municioni, përfshirë katër (4) pistoleta, një (1) pushkë gjuetie, dy (2) karikator të pistoletave dhe, rreth pesëqind e dyzet e katër (544) fishekë të kalibrave të ndryshëm, të cilat mbaheshin në kundërshtim me ligjin përkatës për armët. Po ashtu janë sekuestruar para të gatshme, telefona, dy (2) vetura të markave “Mercedes GLE” dhe “Land Rover”, të cilat janë përdorur për takime dhe shkëmbim të substancave narkotike, si dhe prova të tjera materiale që lidhen me veprat penale të lartcekura”, ka treguar Prokuroria në njoftimin e tyre.
Të dyshuarit me inicialet R.B, A.R dhe B.B gjenden në masën e ndalimit dhe ndaj tyre pritet të propozohet masa e paraburgimit.









