U hapën procedurat për autostradën Shkup-Bllacë, VLEN: I japim fund manipulimeve

Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” ka hapur procedurat për prokurim publik për fazën përgatitore të projektit final për ndërtimin e rrugës së re Shkup-Bllacë.

Koalicioni shqiptar në pushtet e ka vlerësuar këtë si hap konkret që vulos vullnetin për të kthyer në realitet atë që për dekada ka mbetur vetëm premtim.

KOALICIONI VLEN

“Pas zhvatjes së pafundme dhe ngecjes së qëllimshme nga qeverisjet e kaluara, më në fund po i japim fund manipulimeve me këtë projekt. Në vend të fasadës e propagandës, sot kemi veprim, vendosmëri dhe rezultate. Vetëm një vit pas hyrjes në Qeveri, VLEN po prodhon zgjidhje dhe jo alibi, zhvillim dhe jo show politik. Ky është vetëm fillimi i një epoke të re për infrastrukturën shqiptare, epoka e llogaridhënies dhe punës konkrete”

Sipas VLEN-it, për shumë vjet me radhë, projekti Shkup–Bllacë u përdor si mjet zgjedhor, u stërpërdor për marketing politik, por sot, situata ka ndryshuar.

KOALICIONI VLEN

Me VLEN në qeveri, projektet nuk lihen më në harresë, ato ecin përpara. Zhvatja dhe propaganda ishin metodë pune. Por sot, situata ka ndryshuar. Me hyrjen e VLEN në Qeveri, projekti ka marrë udhë dhe vullneti për punë po jep frytet e para. VLEN nuk premton për kamerë, VLEN vepron në terren”

Koalicioni thekson se kjo rrugë nuk është thjesht një lidhje infrastrukturore, por simboli i një fillimi të ri për shqiptarët: një rrugë drejt zhvillimit ekonomik, integrimit europian dhe respektit të ndërsjellë.

Realizimi në kohë i këtij projekti do të krijonte lehtësi të madhe për qytetarët në të dy anët e kufirit. Ndërprerjet dhe vështirësitë e shkaktuara për shkak të punimeve në rrugën aktuale ose pengesave të ndyshme, kanë u kanë shkaktuar vështirësi qytetarëve që e frekuentojnë rrugën, e që janë të shumtë. Së fundi, për shkak të zjarrit që kaploi hapësirën afër rrugës, qytetarët shkonin dhe ktheheshin nga Kosova u detyruan që të shfrytëzojnë një rrugë malore që e lidh fshatin Bllacë me Çuqer Sandevën, e që është përshkruar si makth i vërtetë prej atyre që e përjetuan./shenja

The post U hapën procedurat për autostradën Shkup-Bllacë, VLEN: I japim fund manipulimeve appeared first on Kosovapost.net.