U dëmtua në sfidën ndaj Napoli, trajneri Chivu humbet për një muaj mesfushorin

Mesfushori armen i Inter, Henrikh Mkhitaryan, i dëmtuar në ndeshjen kundër Napoli, mësohet se ka pësuar një tendosje muskulore në gjysmëtendinozin e kofshës së majtë. Nuk është ende e qartë saktësisht se sa kohë do të qëndrojë jashtë fushave, por ka të ngjarë që ai të jetë jashtë për rreth një muaj.

Situata e lojtarit do të vlerësohet përsëri javën tjetër“, thuhet në deklaratën e Inter, duke detajuar gjendjen e lojtarit pas testeve klinike dhe mjekësore të kryera ditën e hënë, pas rikthimit në Milano.

Kështu, Mkhitaryan do të humbasë ndeshjet kundër Fiorentina, Verona dhe Lazio në Serie A dhe atë ndaj Kairat në Champions League. Kthimi i mundshëm i armenit mund të vijë pas pushimit për ndeshjet e kombëtareve.

Klubi zikaltër synon që ta ketë lojtarin në dispozicion për ndeshjen derbi kundër Milan (më 23 nëntor) dhe më pas në sfidën e Champions kundër Atlético Madrid (26 nëntor). Gjithsesi, mungesa e tij është një goditje e rëndë për trajnerin Chivu.

The post U dëmtua në sfidën ndaj Napoli, trajneri Chivu humbet për një muaj mesfushorin appeared first on Telesport.