U bastis nga policia, kompania “Reload” thotë se nuk lidhej me aktivitetin e tyre

Policia e Kosovës këtë të hënë ka zhvilluar bastisje në disa lokacione në kuadër të një aksioni për dallavere me lejet e armëve.

Cak ishte edhe Kompania “Reload”, poligon për gjuajtje me armë. Megjithatë, nga kjo kompani thonë se vizita nga hetuesit nuk lidhej me aktivitetin e tyre.

“Kompania Reload SH.P.K. konfirmon se gjatë ditës është realizuar një vizitë nga hetuesit e Policisë së Kosovës, e cila ka pasur për qëllim trajtimin e dyshimeve që lidhen me persona të caktuar, dhe jo me aktivitetin apo funksionimin e kompanisë si subjekt juridik, në kuadër të një rasti që është duke u trajtuar nga organet e drejtësisë”, thuhet në reagim.

Shton se “Reload” ka “ofruar dhe vazhdon të ofrojë qasje të plotë në të gjitha informacionet dhe dokumentacionin e kërkuar.

“Me këtë deklaratë, Reload SH.P.K. distancohet qartë nga çdo veprim individual apo i grupeve të caktuara, të cilat mund të jenë objekt i dyshimeve apo hetimeve dhe të cilat nuk përbëjnë veprime zyrtare, vendime apo qëndrime të kompanisë. Kompania rithekson gatishmërinë e saj për bashkëpunim të vazhdueshëm me organet shtetërore, në çdo formë dhe në çdo fazë të procedurave, ashtu siç kërkohet nga ligji”, përfundon reagimi.