U akuzua se i pengoi gazetarët, avokati Berisha publikon audio-incizimin nga seanca gjyqësore

Avokati Besnik Berisha nuk është pajtuar me një reagim të Asosacionit të Gazetarëve të Kosovës, të cilët e kishin “dënuar” një veprim të avokatit Berisha gjatë një seance gjyqësore të enjte.

Berisha, përmes rrjetit të tij social ka publikuar audio-incizimin nga deklarimi i tij në seancën gjyqësore pas “përplasjes” me monitoruesit e ‘BetimitpërDrejtës’.

Në audio-incizimin e publikuar, Berisha dëgjohet duke sqaruar ngjarjen për çka monitoruesit e ‘BetimitpërDrejtësi’ i akuzoi edhe për vepër penale.

Në postimin e tij, avokati Berisha ka dhënë edhe një arsyetim me shkrim.

“Faktet jane te thjeshta dhe nuk kane nevoje per interpretim: gjate pauzes procedurale, ne momentin kur komunikimi avokat–klient eshte i mbrojtur ne menyre absolute, eshte realizuar incizim pa autorizim, perkunder paralajmerimit te drejtperdrejte per ta ndalur.
Ne vend qe te denohej ky veprim, u zgjodh te “denohej” reagimi qe e ndali ate. Asociacioni i Gazetareve te Kosoves do duhej te kerkoj falje dhe te distancohet qarte nga ky veprim, duke denuar sjelljen e gazetareve qe kane cenuar nje parim themelor te procesit te rregullt ligjor. Ne te kunderten, krijohet pershtypja e rende se reagimi nuk ka qene ne mbrojtje te standardeve, por ne funksion te mbulimit te nje shkeljeje”, thuhet në reagimin e tij.

Sipas Berishës kjo praktikë e ndjekur nga AGK-ja është gabim dhe e dëmshme.

“Kjo nuk eshte vetem gabim. Eshte e demshme. Mos e ulni gazetarine ne nivel arsyetimesh qe bien ndesh me ligjin. Mos e degradoni rolin e saj duke mbrojtur veprime qe cenojne te drejtat themelore. Gazetaria fitohet me standarde, jo me relativizim te shkeljeve. Ne kete rast nuk eshte cenuar media. Eshte mbrojtur ligji. Kjo eshte vije qe nuk negociohet”, përfundon reagimin e Berishës.

‘BetimipërDrejtësi’ sot gjatë ditës e akuzoi avokatin Berisha për pengim në punën e hulumtuesve.

Në artikullin e titulluar: “Avokati Besnik Berisha në rolin e “policit” merr dhe ndal diktafonin e ekipit të “Betimi për Drejtësi” në gjykimin për krim të organizuar me narkotik“, redaksia e ‘BetimitpërDrejtës’ shprehej e shqetësuar me sjelljet e avokatit Berisha, për çka kishin thënë se është në kundërshtimme ligjin dhe me Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale.