Turqia zbulon ilaçin kundër COVID-19

Shkencëtarët turq kanë prodhuar ilaçin e parë të sintetizuar, prodhim vendor që do të përdoret kundër koronavirusit të ri (COVID-19), tha sot ministri turk i Teknologjisë dhe Industrisë, Mustafa Varank.

“Është një burim i lumturisë dhe krenarisë që ilaçi ka arritur në fazën e licencimit”, tha Varank në një deklaratë me shkrim.

Ilaçi i sintetizuar në Turqi i quajtur “Favipiravir”, i cili përdoret në trajtimin e COVID-19, është zhvilluar në bashkëpunim mes Ministrisë së Teknologjisë dhe Industrisë, Ministrisë së Shëndetësisë, Këshilli i Hulumtimeve Shkencore dhe Teknologjike i Turqisë (TUBITAK), Universitetit Medipol në Stamboll dhe kompanisë farmaceutike “Atabay Ilaç”.

Ekipi prej 32 shkencëtarësh ka zhvilluar ilaçin duke e sintetizuar atë me një lëndë të parë vendase në vetëm 40 ditë.

Ilaçi i sintetizuar “Favipiravir” është një nga projektet e lançuara në kuadër të Platformës së Turqisë COVID-19, ku janë zhvilluar punime hulumtuese dhe zhvillimore në lidhje me zhvillimin e ilaçeve dhe vaksinave.

Mustafa Güzel, një nga koordinatorët e projektit, deklaroi se projekti vendas për zhvillimin e ilaçeve është realizuar me bashkëpunim të industrisë dhe akademisë.

Ekipi filloi punën rreth 5-6 javë më parë, tha Güzel. “Më besoni, nuk mendoja se mund të bëhej kaq shpejt. Por, me mobilizimin kombëtar, të gjithë u afruan. Ne e arritëm këtë me frymë ekipore”, shtoi ai.

Ai theksoi se trajtimi me Favipiravir-in e sintetizuar është efektiv edhe tek pacientët që sapo kanë filluar të kenë temperaturë. “Ka 3-4 ilaçe në botë që janë të mirënjohura në trajtim. Ky është një ilaç që ne e dimë se është efektiv”, përfundoi Güzel.

Ndërkohë Rusia njoftoi të premten se ka nisur përdorimin e Favipiravir duke vënë në dispozicion 60 mijë doza dhe paralajmëroi porositjen e 2 milionë dozave të tjera. /AA/