Turqia paralajmëron: Sulmet amerikane ndaj Iranit rrezikojnë përshkallëzim global

Ministria e Jashtme turke shprehu të dielën shqetësim të thellë për sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara mbi objektet bërthamore të Iranit, duke paralajmëruar se këto veprime mund të përshkallëzojnë konfliktin rajonal në një krizë me përmasa globale.

“Sulmi i SHBA-së më 22 qershor ndaj centraleve bërthamore të Republikës Islamike të Iranit ka rritur në maksimum rrezikun për përshkallëzim të konfliktit dhe destabilizim të sigurisë rajonale – rrezik që e kemi paralajmëruar vazhdimisht,” thuhej në deklaratën zyrtare të ministrisë.

Ankaraja e cilësoi situatën si “shumë shqetësuese”, duke theksuar se një përplasje e tillë mund të zgjerohet përtej rajonit dhe të marrë përmasa globale. “Nuk duam të shohim një skenar katastrofik të realizohet,” paralajmëroi ministria.

Turqia i bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të ndalojnë menjëherë sulmet reciproke, në mënyrë që të shmangen viktima të tjera dhe dëme të mëtejshme.

Ankaraja theksoi gjithashtu se negociatat janë e vetmja mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet rreth programit bërthamor iranian, duke ftuar bashkësinë ndërkombëtare të mbështesë zgjidhje diplomatike, shkruan agencia turke, Anadoly.

“Turqia është e gatshme të luajë një rol konstruktiv dhe të kontribuojë për zgjidhjen paqësore të krizës,” përfundoi deklarata.

Reagimi i Turqisë erdhi pak orë pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili njoftoi për “sulme ajrore shumë të suksesshme” në tri nga objektet kryesore bërthamore të Iranit: Fordow, Natanz dhe Isfahan.

Operacionet u kryen me armë të avancuara, përfshirë raketa lundrimi dhe bomba të dizajnuara për të depërtuar në struktura të mbrojtura.

Në përgjigje, Irani i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbajë një takim urgjent për të dënuar sulmet amerikane dhe për të kërkuar përgjegjësi ndaj atyre që shkelin të drejtën ndërkombëtare.

Tensionet midis Iranit dhe Izraelit shpërthyen më 13 qershor, kur Izraeli nisi sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake dhe bërthamore në Iran.

Irani u kundërpërgjigj me një seri sulmesh raketore ndaj Izraelit. Sipas autoriteteve izraelite, deri më tani janë raportuar të paktën 25 të vrarë dhe qindra të plagosur.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë iraniane njoftoi se 430 persona janë vrarë dhe mbi 3,500 të tjerë janë plagosur.

The post Turqia paralajmëron: Sulmet amerikane ndaj Iranit rrezikojnë përshkallëzim global appeared first on Kosovapost.net.