Turqia heq disa tarifa ndaj SHBA-ve para takimit Trump-Erdogan

Tarifat e anuluara ishin vendosur gjatë mandatit të parë të Trump.

Turqia ka njoftuar zyrtarisht se ka hequr disa tarifa ndëshkuese të vendosura në vitin 2018 ndaj një sërë produktesh amerikane, pak ditë para takimit mes presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump.

Vendimi u publikua në Gazetën Zyrtare të Turqisë të hënën dhe prek një listë të gjerë produktesh, përfshirë automjete pasagjerësh, fruta, oriz, duhan, pije alkoolike, lëndë djegëse dhe produkte kimike.

Masat ishin vendosur fillimisht si hakmarrje ndaj tarifave të çelikut dhe aluminit që SHBA-të kishin vendosur në mandatin e parë të Trump, si pjesë e një politike të gjerë tarifore ndaj partnerëve tregtarë.

Aktualisht, Presidenti Erdogan ndodhet në New York për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, dhe pritet të udhëtojë drejt Washington-it të enjten për një takim me Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas deklaratave të presidentit amerikan, në qendër të bisedimeve do të jenë marrëveshjet tregtare dhe ato ushtarake mes dy vendeve.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një tarifë 15% për importet turke që nga gushti, por Ankara nuk ka reaguar me masa të reja ndëshkuese, duke sinjalizuar një qasje më të butë dhe të orientuar drejt dialogut.