Turqia forcon sigurinë kufitare mes përshkallëzimit të tensioneve Izrael-Iran

Turqia ka forcuar sigurinë e kufijve dhe hapësirës ajrore në përgjigje të tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, ndërsa ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler, ka dënuar sulmet ushtarake të Izraelit ndaj Iranit dhe ka paralajmëruar për destabilizim rajonal, transmeton Anadolu.

Gjatë një video-konference me komandantët, Güler theksoi se Turqia ka monitoruar nga afër situatën që nga fillimi i sulmeve dhe po merr “masa gjithëpërfshirëse dhe të fuqishme” për të siguruar territorin e saj.

“Sipas udhëzimeve të presidentit tonë, ne po veprojmë me një paradigmë proaktive sigurie”, tha ai, duke shtuar: “Në koordinim të ngushtë me institucionet tona përkatëse, ne po vlerësojmë të gjitha skenarët që mund të ndikojnë në vendin tonë.”

“Ne dënojmë sulmet e paligjshme të Izraelit të nisura kundër Iranit, vendit tonë fqinj, të premten e kaluar”, tha Güler.

“Operacionet e paligjshme të Izraelit, fillimisht në Gaza, pastaj në Liban dhe tani në Iran, zbulojnë edhe një herë qëllimin e tij të qartë për të përhapur konfliktin në të gjithë rajonin”, shtoi ai.

“Izraeli po e zhyt rajonin tonë në kaos me veprimet e tij”, tha ai, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “të veprojë urgjentisht për të ndaluar lëvizjet arbitrare të Izraelit që synojnë ta zhytin rajonin në kaos”.

– “Kupola e Çelikut”

Ministri turk i mbrojtjes gjithashtu shpjegoi strategjinë afatgjatë të mbrojtjes së Turqisë, duke përfshirë zhvillimin e një sistemi të integruar të mbrojtjes ajrore të quajtur “Kupola e Çelikut”.

Sistemi pritet të funksionojë në bashkëpunim me avionin luftarak Kaan të zhvilluar në vend dhe një gamë të gjerë sisteme raketash.

“Nën udhëheqjen e presidentit tonë, qëllimi ynë më i madh është të arrijmë kapacitetin më të lartë mbrojtës për mbrojtjen e atdheut tonë përmes sistemit tonë të mbrojtjes ajrore ‘Kupola e Çelikut’ “, tha Güler.

Ai gjithashtu riafirmoi vendosmërinë e Turqisë jo vetëm për të vëzhguar, por edhe për të formësuar zhvillimet në rajon.

“Ne do të vazhdojmë të zbatojmë politikat tona shumëdimensionale dhe të thella të mbrojtjes dhe sigurisë në mënyrë efektive, duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm pa hezitim”, shtoi ai.

The post Turqia forcon sigurinë kufitare mes përshkallëzimit të tensioneve Izrael-Iran appeared first on Kosovapost.net.