Turpi vazhdon: 25 herë me radhë

Ka dështuar edhe për herën e 25-të seanca e sotme e Kuvendit.

Sërish, opozita nuk ka marrë pjesë në votimin e komisionit të fshehtë.

Si rezultat, nuk pati kuorum.

Propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votë të fshehtë nuk ka kaluar serish.

Për propozimin e komisionit, kanë votuar veç 51 deputetë.

Seanca e radhës u caktua për 4 qershor.

Kjo pasi PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk po marrin pjesë në këtë votim, duke vlerësuar se një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Për formimin e këtij komisioni sot kanë votuar vetëm 53 deputetë, kudër ka qenë 1 deputet, kurse abstenim nuk ka pasur.

Pas dështimit të këtij votimi, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet të mërkurën në orën 10:30.

Në fillim të muajit maj, VV-ja ka propozuar formimin e një komisioni, i cili do të monitoronte votimin e fshtë për kryetar të Kuvendit.

Një propozim i tillë ka ardhur pasi kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, kishte dështuar 6 herë rresht t`i marrë votat e nevojshme.

Çështja e votimit të fshehtë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga AAK-ja, e cila është mbështetur edhe nga PDK-ja dhe LDK-ja.

Seanca për konstituimin e legjislaturës se nëntë ka filluar më 15 prill. Deri tani janë kaluar vetëm dy pika të agjendës.

Deputetët e kanë votuar raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe janë betuar.

VV-ja nuk po e ndryshon kandidaten për kryetare të Kuvendit edhe pse PDK-së dhe AAK-ja janë shprehur të gatshme të votojnë një kandidatë tjetër për kryetar.

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, e vlerësoi së fundmi situatën “për keqardhje”, duke theksuar se problemet e tilla institucionale, historikisht, janë zgjidhur vetëm me ndërhyrje nga faktori ndërkombëtar.

“E vetmja shpresë ka mbetë te Gjykata Kushtetuese, apo një ftesë tjetër e partive politike që ish dashtë me ndodhë nga presidentja. Më vjen keq prej qytetarëve, njerëzve, prej juve, nuk kemi mujt me ardhë te një zgjidhje. Kjo kallxon edhe për kohë më përpara, si duket neve na kanë nejtë gati veç qito ambasada e kështu se kurr këta politikanë, apo ne si politikanë, nuk kemi mujt me iu dhënë orientim momenteve politike asnjëherë, por veç na kanë nejt gati. Është me të ardhë keq, nihna keq si deputet mos me pas mundësi, afrimitet ose zotësi me u mbledhë njerëzit e delegum…” – ka thënë ai.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Nait Hasani, shfaqi pesimizëm të hapur lidhur me mundësinë e tejkalimit të ngërçit institucional, duke theksuar se vetëm një vendim nga Gjykata Kushtetuese mund ta zgjidhë ngërçin.

“Nuk besoj që do të ndryshoj ndonjë gjë, nuk kemi njoftim as kryetarët e partive e as nga mjetet e rrugëve apo thashetheme të rrugëve. Besoj që është prapë e njëjta gjë, pa ardhë një vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk besoj që do të ketë ndonjë ndryshim ose do të ketë ndonjë ndryshim”, ka thënë Hasani.

Nga ana tjetër, deputeti i VV-së, Albin Kurti, akuzoi partitë e tjera për “patriarkalizëm” lidhur me refuzimin për të votuar Haxhiun si kryeparlamentare.

“…kjo situatë reflekton përballjen me struktura hierarkike, patriarkale, të prapambetura. Përderisa ne si Qeveri angazhohemi për ditë qe grave t’ju besohen pozita të ndryshme udhëheqëse, deputetët e opozitës nuk po e bëjnë këtë në Kuvend.” – tha ai.