“Turizmi na vjedh bukën, shtëpitë dhe të ardhmen”, spanjollët në protestë, lagin të huajt me ujë

Barcelona është tronditur sërish nga protestat masive kundër turizmit të tepruar, ku qindra banorë të zemëruar dolën në rrugë më 15 qershor, duke përdorur pistoleta uji dhe tymuese për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj turistëve.

Nën moton “Turizmi na vjedh bukën, shtëpitë dhe të ardhmen”, protestuesit kërkuan një ndryshim rrënjësor të modelit ekonomik të qytetit, i cili, sipas tyre, është i dominuar nga turizmi masiv dhe shkatërrues.

Pamjet që vijnë nga qyteti tregojnë aktivistë duke spërkatur pushuesit me pistoleta uji, ngjitur pankarta si “Turizmi po vret Barcelonën” dhe “Një turist më shumë, një banor më pak”, si dhe duke ngjitur shenja proteste nëpër hotele e hostele. Disa madje kanë bllokuar hyrjet e hosteleve për të penguar daljen e turistëve, ndërsa të tjerë mbushnin pistoletat e ujit në burimet publike. Ndërkohë, policia e trazirave u vendos për të ruajtur qetësinë dhe kontrolluar marshimin.


Kjo protestë ishte e organizuar nga “Asambleja e Lagjeve për Zvogëlimin e Turizmit”, e cila po udhëheq një valë protestash në të gjithë Spanjën. Zëdhënësi i grupit, Daniel Pardo Rivacoba, deklaroi se industria e turizmit është “e papajtueshme me jetën” dhe kërkoi “zvogëlim të menjëhershëm të turizmit”. Ai shtoi gjithashtu se punëtorët e sektorit përballen me kushte pune dhe paga të mjerueshme, ndërsa banorët vuajnë nga kriza e strehimit dhe rritja e kostove të jetesës.

Përveç Barcelonës, protesta të ngjashme janë zhvilluar në qytete të tjera turistike si Ibiza, Donostia-San Sebastián, Palma, Granada dhe Pirenejtë. Lëvizja është përhapur edhe përtej kufijve të Spanjës, në qytete të Portugalisë dhe Italisë.

Një tjetër pikë e nxehtë është zgjerimi i planifikuar i aeroportit Barcelona-El Prat, që është kundërshtuar ashpër nga aktivistët e fushatës “Zeroport”. Ndërkohë, zëdhënësja Ariadna Cotèn theksoi se protestat nuk synojnë turistët personalisht, por klasën politike që favorizon interesat ekonomike mbi nevojat e komuniteteve lokale. Megjithatë, mesazhi nuk u prit gjithmonë me mirëkuptim – shumë protestues kanë thirrur në anglisht “Go home!” ndaj turistëve.

Këto protesta vijnë pas valëve të ngjashme në vitin 2024 dhe fillimit të këtij viti në prill, kur mbi 40 qytete në Spanjë u përfshinë nga demonstratat kundër mbingarkesës turistike. Në maj, mijëra njerëz dolën në rrugët e Ishujve Kanarie nën sloganin “Ishujt Kanarie nuk janë për shitje – ata duhen dhe mbrohen”.

Fenomeni i overtourism-it, ose turizmit të tepërt, është kthyer në një problem serioz për shumë destinacione të njohura botërore. Ai sjell mbipopullim, ndotje, trafik të rënduar, mungesë strehimi dhe rritje të kostove të jetesës për banorët lokalë. Në këtë kontekst, gjithnjë e më shumë komunitete kërkojnë politika të reja për të kufizuar ndikimin negativ të turizmit dhe për të mbrojtur cilësinë e jetës së tyre.