Një grup turistësh nga Serbia vendosi të sjellë një frymë ndryshe në pushimet e tyre në Maltë, duke krijuar një version të improvizuar të konceptit “spa & fun” – por me një kthesë argëtuese dhe, natyrisht, me synimin për ta dokumentuar gjithçka në TikTok.
Sepse në epokën e rrjeteve sociale, nëse diçka nuk është filmuar dhe ndarë online, është thuajse sikur nuk ka ndodhur fare, raporton N1.
Videoja është publikuar nga përdoruesi @vasicc11 dhe është shoqëruar me tingullin karakteristik të reklamave të Jet2Holidays, çka vetëm sa shton efektin komik të skenës.
Pamjet përshkruajnë një skenë që ngjan me një version amator të “Jackass”, ku një djalë merr hov dhe rrëshqet me bark mbi dyshemenë e mbuluar me ujë në një korridor hoteli.
Ndërkohë, miqtë e tij e lagin edhe më shumë dyshemenë për ta ndihmuar të rrëshqasë më gjatë dhe të përmbysë një pirg shishesh bosh, të vendosura në fund të korridorit si ca “kunja” bowling-u të improvizuara.
Në një koment të mëvonshëm, autori i videos konfirmoi se pas publikimit të saj, është dënuar nga autoritetet malteze me një gjobë prej 1500 eurosh për dëmtim prone dhe sjellje të papërshtatshme në ambientet e hotelit.
Pavarësisht pasojave, videoja ka bërë bujë të madhe në rrjet, duke mbledhur mbi 3.6 milionë shikime dhe qindra komente – disa duke e quajtur veprimin “çmenduri verore”, e të tjerë që qeshin me kreativitetin e turistëve dhe mënyrën se si po përpiqen të krijojnë kujtime unike… edhe nëse me pasoja ligjore.
The post Turistët serbë shkaktuan dëme në një apartament në Maltë – dënimi i rëndë u erdhi pasi publikuan videot appeared first on Kosovapost.net.