Protestat e dhunshme të opozitës gjatë muajve të fundit, kanë bërë që shumë agjenci turistike apo turistë të anulojnë prenotimet e tyre në Shqipëri. Ky fakt vërtetohet edhe nga kreu i Operatorëve turistik për jugun, Vasil Bedinaj.
Sipas tij vetëm këtë javë janë anuluar disa prenotime sapo është dëgjuar që partitë politike do të kenë sërish protestë. Kjo situatë, sipas Bedinaj, po dëmton shumë ekonominë e vendit dhe operatorët turistikë, pasi janë një zinxhir shërbimesh që mbahen me këtë biznes dhe i gjithë komuniteti mbahet me sezonin turistik.
“Prisnin që të kishim një bum apo rritje të konsiderueshme, kjo po na dëmton për shkak të situatës jo pozitive politike në Shqipëri. Dua ta theksoj dhe ta dëgjojnë: Turizmi nuk është një industri prodhuese, por turizmi është diçka qejfi. Çdo turist që zgjedh që të vijë në Shqipëri dhe sheh në mediat e huaja se në Shqipëri ka trazira dhe klima nuk është e përshtatshme e anulojnë, pra është diçka qejfi. Ne po marrim anulime nga agjenci turistike dhe po na thonë edhe shkakun, po e citoj: Për shkak të situatës politike dhe jo të qetë në Shqipëri, ne nuk vijmë. Është shumë stresuese kur merr mesazhe të tilla për anulim”, shprehet Bedinaj.
Edhe pse Vlora dhe hoteleritë janë gati për të pritur turistet duket se kriza politike po i step këta të fundit që të vijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet./Report TV/