Të dielën, shefja e Bashkimit Europian, Ursula von der Leyen, u nis drejt Ballkanit Perëndimor për vizitën e saj vjetore në gjashtë vendet e rajonit. Prishtina ishte e parafundit në agjendën e saj, ndërsa e filloi me Tiranën të hënën. Në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, presidentja e KE-së zhvilloi takime biletarale për t’ua lënë porositë që kishte liderëve ballkanikë. Në Kosovë ku takoi fillimisht presidenten Osmani e më pas kryeministrin në detyrë Kurti, von der Leyen la një mesazh edhe duke mos i shkuar Kurtit në zyrën e tij, por në një sallë të Kuvendit.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, të mërkurën e rezervoi për vizitat e saj në Beograd, Prishtinë e Shkup. Me të përfunduar agjendën e saj në Serbi, me aeroplan u nis drejt Kosovës ku u prit në aeroport nga ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla.
Kjo e fundit në një postim në Facebook la të kuptohet se shefja e BE-së po e gjen Kosovën thellë të angazhuar në punë drejt integrimit europian.
Nga aty, von der Leyen u drejtua për në zyrën e të parës së shtetit, Vjosa Osmani, nga e cila pranoi disa kërkesa e ankesa për masat ende në fuqi kundër Kosovës, por edhe zotimin se Kosova është gati të ecë përpara “me përkushtim, me reforma të suksesshme dhe me besim të palëkundur në të ardhmen europiane”.
Në takim, siç tha Presidenca, Osman i theksoi “domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta ndaj Kosovës, duke rikujtuar se edhe vetë Komisioni Europian ka konfirmuar se këto masa duhet të hiqen, që nga propozimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në qershor 2024”.
Sidoqoftë, pak më vonë, von der Leyen ia përsëriti Kosovës kërkesën e njëjtë për “ulje të tensioneve”, e cila është kusht për heqjen e plotë të masave meqë pjesërisht ka filluar largimi i tyre, duke nënkuptuar se s’janë plotësuar kushtet për plotësim të kërkesës së Osmanit.
Presidentja gjithashtu tha se shprehi pritjet e saj që miratimi i Planit të Rritjes të jetë ndër vendimet e para të Kuvendit.
“Duke folur për përpjekjet e Kosovës drejt përafrimit me Bashkimin Evropian, Presidentja Osmani theksoi se mbështetja e Komisionit Evropian në këtë proces mbetet thelbësore. Ajo ritheksoi përkushtimin e popullit të Kosovës, popullit më pro-evropian në botë, për të ardhmen evropiane të vendit tonë”, tha Presidenca, shkruan Gazeta Express
Kërkesa të tjera von der Leyen mori edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të cilit s’i shkoi në zyrën e tij.
Për këtë takim u caktua një sallë e rëndomtë e Kuvendit të Kosovës, që përdoret nga Kryesia e Kuvendit për mbledhje, në krye të së cilës ishin vendosur flamujt e Kosovës dhe BE-së.
Shefja e BE-së zbatoi një vendim që kishte marrë Unioni për të mos i shkuar në zyre asnjë zyrtar i BE-së Kurtit derisa Kosova të kishte një qeveri me mandat të plotë.
Këtë lajm ia kishte dhënë qeverisë në detyrë të Kurtit më 8 gusht të këtij viti, ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav, përmes një letre, derisa në Kuvend po vazhdonin zvarritjet për konstituimin e legjislaturës së re.
Sipas letrës së dërguar, vendimi u mor pas “aktgjykimit të Gjykatës Supreme të 25 qershorit” që shpalli të pavlefshëm një udhëzim administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pasi argumentoi se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.
Në takim, Kurti, sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, i ritheksoi nevojën që Komisioni Europian “të dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën”.
Ndërkaq, duke aluduar në ndërrimin e pushtetit në katër komunat veriore të vendit, të cilat i fitoi Lista Srpska pa balotazh, Kurti i foli von der Leyenit për “rëndësinë për një tranzicion të rregullt të pushtetit në komunat ku do të ketë ndërrim të qeverisjes, në respektim të plotë të kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”, si dhe ia dha asaj zotimin për “përkushtimin e qeverisë për të mbrojtur proceset demokratike nga çdo ndërhyrje e jashtme”.
Kurti para saj e lavdëroi procesin zgjedhor të së dielës, për të cilat tha se “ishin të lira, demokratike dhe në përputhje me standardet më të mira europiane”.
Me të përfunduar takimet në Prishtinë, von der Leyen la vetëm një postim në X dhe u nis drejt Shkupit.
Për Kosovën ajo pati disa porosi të shkurta.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë. Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta; të ulë tensionet në vend’, gjithashtu, Kosova duhet të finalizojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, ka shkruar ajo.
Arsyeja pse s’e zgjati më shumë kohën e saj në Kosovë me një konferencë për media ishin zgjedhjet lokale të cilat u mbajtën e do të mbahen sërish në komunat që shkuan në balotazh.
Për këtë u sqarua Brukseli në një përgjigje për Gazetën Express.
“Arsyeja për mosmbajtjen e konferencës për media në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut është për shkak të zgjedhjeve që janë në proces ose pritet të mbahen së shpejti, sipas praktikës së zakonshme”, tha zëdhënësja e Komisionit Europian, Paula Pinho.
Megjithatë, në X, von der Leyen me postime të shumta për vizitat e saj në Tiranë, Tivat, Sarajevë e Beograd kishte lënë mesazhe e lëvdata edhe për vendet e tjera të rajonit. Normalisht, lëvdatat i pati për Shqipërinë e Malin e Zi dhe për avancimin e rrugës së tyre drejt BE-së.
Shefja e KE-së në Mal të Zi zgjodhi qytetin e Tivatit dhe jo kryeqendrën Podgoricën për shkak se atje mori pjesë në hapjen e konferencës së Investimeve të Malit të Zi.