Juventus fitoi 4-3 ndaj Interit në “Derby d’Italia”, e luajtur në “Allianz Stadium”. Menjëherë pas ndeshjes, kanë folur edhe dy trajnerët respektivë.
“Ishte një ndeshje e çmendur, shumë gola, ulje-ngritje, në fund jemi shumë të lumtur që mundëm një ekip të shkëlqyer me cilësi të lartë, si Inter, por nuk ishte një perfomancë e shkëlqyer nga ana jonë. Por, jemi të kënaqur, ishte ndeshja e tretë, kemi edhe 35 të tjera për të luajtur.
Adzic na dha fitoren? Gjatë pesë ose gjashtë muajve të fundit kemi punuar me të, sepse besojmë në cilësinë e tij. E pamë gjatë gjithë javës se ishte në formë të mirë dhe ndaj e hodhëm në fushë. Ai ka një goditje nga distanca që është sinqerisht e rrallë në futboll. Ai duhet ta marrë këtë gol si një shenjë për të vazhduar të punojë edhe më shumë”, tha Tudor.
Kroati shpjegoi gjithashtu qasjen taktike që provoi me Kenan Yildiz, edhe nëse nuk funksionoi tamam ashtu siç ai kishte ndërmend. “Ideja ishte një mesfushë diamanti me Yildiz pas Vlahovic, por ne nuk e bëmë presionin në kohën e duhur, nuk e bëmë ashtu siç duhej ta kishim bërë. Yildiz gjeti disa hapësira pas sulmuesit, është një ide që mund ta përsërisim në të ardhmen, pasi ai është kaq i talentuar dhe duhet të jetë më afër portës dhe më pak në krah”, përfundoi Tudor për DAZN Italia.
Ndërsa Cristian Chivu deklaroi se Inter bëri një perfomancë të mirë, por në minutat e fundit iu mungoi fati.
“Mendoj se patëm një performancë vërtet të mirë në pjesën e parë dhe të dytë. Fatkeqësisht, ka momente në ndeshje, veçanërisht në 10 minutat e fundit, ku na mungoi fati. Në përgjithësi, erdhëm këtu për të marrë iniciativën, për të luajtur me karakter, për të provuar të fitojmë dhe për të mos u kënaqur me më pak.
Mendoj se performanca dhe karakteri i të gjithë ekipit ishin pozitive. Calhanoglu bëri atë që të gjithë prisnim, sepse kjo është cilësia e tij, është ajo që ai i jep ekipit. Pashë gjëra të mira sonte ashtu si dhe në pjesën e dytë kundër Udineses, edhe nëse nuk morëm pikë.Nuk mund të ankohem për sa shumë po punon ekipi, kjo është e sigurt”, tha Chivu për DAZN Italia.
The post Tudor dhe Chivu flasin pas “Derby d’Italia”: Ishte një ndeshje e çmendur… appeared first on Telesport.