Situata mbetet në zhvillim, ndërsa vëmendja është e përqendruar tek fjalimi i pritshëm i presidentit Trump.
Gazetari dhe komentatori amerikan Tucker Carlson ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara pritet të shpallin luftë ndaj Venezuelës gjatë orëve të ardhshme, duke iu referuar informacionit që, sipas tij, i është konfirmuar nga një anëtar i Kongresit amerikan.
Sipas Carlson, Kongresi është informuar dje se një konflikt ushtarak me Venezuelën është i pashmangshëm dhe se shpallja zyrtare do të bëhet sonte.
Presidenti amerikan Donald Trump pritet të mbajë një fjalim nga Zyra Ovale në orën 21:00 sipas orës lindore të SHBA-ve (EST), çka ka shtuar spekulimet se deklarata do të lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet e fundit në raportet SHBA-Venezuelë.
Deri në këtë moment, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar, ndërsa deklarata e Carlson ka ndezur reagime të forta në rrjetet mediatike dhe politike në SHBA.
Venezuela drejtohet aktualisht nga presidenti autoritar Nicolás Maduro, ndërsa tensionet mes Washingtonit dhe Karakasit janë përshkallëzuar ndjeshëm muajt e fundit për shkak të sanksioneve, çështjeve energjetike dhe akuzave për shkelje të të drejtave të njeriut.
Situata mbetet në zhvillim, ndërsa vëmendja është e përqendruar tek fjalimi i pritshëm i presidentit Trump, i cili mund të shënojë një kthesë të rëndësishme në politikën e jashtme amerikane dhe stabilitetin rajonal në Amerikën Latine.











