Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka paralajmëruar yllin e Chelsea, Cole Palmer, se do t’i duhet të luftojë për vendin e tij në Kupën e Botës në dy ndeshjet e ardhshme miqësore që “3 luanët” do të luajnë, duke nisur nga ajo e sotmja ndaj Uruguajit.
Palmer është bashkuar me kampin e tij të parë të Anglisë që nga fillimi i sezonit, pasi ka humbur tre të mëparshmet për shkak dëmtimesh. Si rezultat, Palmer është lënë pas në aspektin e përgatitjes për Kupën e Botës 2026, me lojtarë si Morgan Rogers dhe Jude Bellingham që kanë një avantazh në garën për fanellën me nr.10.
Tuchel nuk e fshehu se presioni është mbi yllin e Chelsea për të provuar veten në dy ndeshjet e ardhshme. “Sinqerisht, ai duhet ta tregojë këtë, sepse kemi më shumë ndeshje pa të sesa me të, kështu që presioni është mbi të,” tha Tuchel.
“Ai pati një sezon të vështirë, por ka pasur edhe një periudhë të vështirë me ekipin kombëtar. Ai ishte vetëm një herë i disponueshëm dhe atëherë vendosëm të mos luante. Ndaj, ka konkurrencë të madhe për pozicionin e tij”, shtoi Tuchel.
Tuchel konfirmoi gjithashtu se Palmer “do të ketë shanset e tij” gjatë dy miqësoreve kundër Uruguait dhe Japonisë. Duke folur për gjendjen fizike të Palmer, Tuchel konfirmoi se ka qenë në kontakt me departamentin mjekësor të Chelsea dhe matjet kanë treguar shenja premtuese.
“Kohët e fundit pamë të dhëna të mira. E pashë drejtpërdrejt kundër Arsenal dhe për herë të parë pas një kohe të gjatë, pata ndjesinë se hapi i tij ishte rikthyer në gjatësinë e tij origjinale. Më parë, ndjeja se nuk ishte i lirë dhe hapi nuk ishte mjaftueshëm i gjatë”, tha Tuchel.
Në fund, trajneri tha: “Mora reagime prej tij dhe reagimet nga Chelsea ishin se ai ndjeu gjatë kësaj ndeshjeje se ishte shumë, shumë më mirë. Ai pati një ndeshje shumë të fortë kundër Aston Villa me një performancë të madhe fizike. Ai është rikthyer në vetëbesim të plotë dhe e shohim këtë në stërvitje.”
Tuchel, megjithatë, e bëri të qartë se nuk ka garanci që Palmer do ta mbajë vendin e tij në Angli për Kupën e Botës këtë verë. “Ai duhet të kuptojë se lufton për vendin e tij dhe ne nuk do t’i japim asgjë askujt në një pjatë argjendi. Ai i ka kaluar ditët e para në kamp në një mënyrë shumë të mirë dhe pikërisht në mënyrën e duhur“, tha Tuchel.
The post Tuchel mesazh Palmer: Nuk e ka të sigurt vendin në kombëtare, duhet të luftojë për një fanellë appeared first on Telesport.










