Administrata Trump ka urdhëruar ambasadat amerikane në mbarë botën që të ndalojnë menjëherë caktimin e intervistave për viza për studentët e huaj.
Vendimi ka ardhur si përgatitje e administratës për të zbatuar një kontroll gjithëpërfshirës të mediave sociale të të gjithë aplikantëve ndërkombëtarë.
Një tekst i Departamentit të Shtetit i siguruar nga mediat të martën udhëzon seksionet konsullore të ndalojnë “çdo kapacitet shtesë takimi për vizë studenti ose vizitor shkëmbimi (F, M dhe J) derisa të lëshohen udhëzime të mëtejshme” brenda ditëve.
Vendimi, i raportuar fillimisht nga “Politico” mund të vonojë përpunimin e vizave dhe të dëmtojë universitetet, shumë prej të cilave Donald Trumpi i akuzon se kanë ideologji të së majtës, që mbështeten shumë te studentët e huaj për të ardhurat, raporton The Guardian.
“Departamenti po kryen një rishikim të operacioneve dhe proceseve ekzistuese për shqyrtimin dhe verifikimin e aplikantëve për viza studentore dhe të shkëmbimit të vizitorëve”, thuhet në dokument.
Ngrirja është përshkallëzimi i mëtejshëm nga masat aktuale të shqyrtimit, të cilat kanë synuar kryesisht studentët që morën pjesë në protestat pro-palestineze të kampuseve universitare.
Me vendimin e ri parashihet verifikimi në mediat sociale për të gjithë aplikantët për viza studentore, jo vetëm për ata që janë të shënuar për aktivizëm. Sipas procesit të shqyrtimit, oficerët konsullorë do të shqyrtojnë postimet, veprimet dhe komentet e aplikantëve nëpër platforma të tilla si Instagram, X dhe TikTok për përmbajtje që ata mendojnë se janë kërcënuese për sigurinë kombëtare.
Ka më shumë se një milion studentë të huaj në Shtetet e Bashkuara, duke kontribuar me afro 43.8 miliardë dollarë në ekonominë amerikane, sipas NAFSA (Shoqata e Edukatorëve Ndërkombëtarë).
Ngrirja e vizave kërcënon të komplikojë sfidat ekzistuese me të cilat përballen institucionet e arsimit të lartë që tashmë po përjetojnë rënie të regjistrimit ndërkombëtar.