Trumpi ia ngrin Universitetit të Harvardit mbi 2 miliardë dollarë pas refuzimit të kërkesave

Administrata e presidentit amerikan, Donald trump, ka thënë se do të ngrijë më shumë se 2 miliardë dollarë fonde federale për Universitetin e Harvardit, disa orë pasi institucioni i famshëm i arsimit refuzoi një listë kërkesash nga Shtëpia e Bardhë.

“Deklarata e Harvardit sot e përforcon mendësinë shqetësuese të së drejtës që është endemike në universitetet dhe kolegjet më prestigjioze të vendit tonë” – tha në një deklaratë Departamenti i Arsimit, raporton televizioni BBC.

Shtëpia e Bardhë javën e kaluar i kishte dërguar Universitetit të Harvardit një listë me kërkesa, për të cilat tha se ishin të dizajnuara për ta luftuar antisemitizmin në kampusin e këtij institucioni. Në to përfshiheshin ndryshime në qeverisjen e universitetit, në praktikat e emërimeve dhe procedurat e pranimit.

Harvardi i kundërshtoi kërkesat të hënën dhe tha se Shtëpia e Bardhë po mundohej që ta “kontrollonte” komunitetin e tij.

Harvardi është universiteti i parë i rëndësishëm amerikan që i bën ballë presionit nga administrata e Trumpit për t’i ndryshuar politikat e veta. Sipas kërkesave të gjera të paraqitura nga Shtëpia e Bardhë, universitetit do t’i transformoheshin operacionet e tij dhe një pjesë e madhe e kontrollit do t’i dorëzohej qeverisë.

Presidenti Trump ka akuzuar universitete të njohura se kanë dështuar që t’i mbrojnë studentët e tyre hebraikë, kur kampuset universitare në pjesë të ndryshme të vendit vitin e kaluar ishin përfshirë nga protesta kundër luftës në Gaza dhe kundër mbështetjes amerikane për Izraelin.

Dekani i Universitetit të Harvardit, Alan Garber, tha se Shtëpia e Bardhë kishte dërguar një “listë të përditësuar dhe të zgjeruar të kërkesave” të premten bashkë me një paralajmërim se universiteti “duhej t’i respektonte” ato, nëse donte ta mbante “marrëdhënien financiare” me qeverinë.

“Ne e kemi informuar administratën përmes këshilltarit tonë ligjor se ne nuk do ta pranojmë propozimin e tyre për marrëveshje. Universiteti nuk do ta dorëzojë pavarësinë e vet ose të heqë dorë nga të drejtat e veta kushtetuese” – shkroi ai./Nacionale