Trumpi i kërkon Muskut t’i kthejë 2 astronautët nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kërkuar nga kompania hapësinore “SpaceX” e Elon Muskut, për të kthyer në Tokë dy astronautët e “ngecur” në hapësirë, edhe pse NASA ka deklaruar se ata nuk kanë ngecur dhe do të kthehen në Tokë në fund të marsit, ka raportuar “The Guardian”.

Dy astronautët e NASA-s Butch Wilimore dhe Suni Williams, ishin dërguar në hapësirë me kapsulën Starliner të Boeingut, gjatë qershorit të vitit 2024, për në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtarë (SHN) dhe atje do të qëndronin për vetëm 10 ditë.

Por problemet teknike, me motorin e raketave që nuk punonin si duhet, kanë vonuar kthimin e tyre. Anija hapësinore u kthye në tokë pa ta dhe astronautët kanë qëndruar në SHN që atëherë.

NASA ka insistuar se astronautët nuk kanë ngecur në hapësirë, dhe se ata mund të ktheheshin në çdo kohë. Gjithsesi SHN kishte nevojë për staf që të ndihmojë në kërkimet shkencore dhe mirëmbajtje, derisa një mision për prurjen e stafit të ri të organizohej.