Trump zgjat gjendjen e jashtëzakonshme për Ballkanin Perëndimor

Presidenti Donald Trump, ka zgjatur edhe për një vit urdhrin ekzekutiv për gjendjen e jashtëzakonshme në Ballkan.

Në dokumentin zyrtar të publikuar në Regjistrin Federal, thuhet se situata në rajonin e Ballkanit, vazhdon të përbëjë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të ShBA-së.

Në njoftim theksohet se veprimet e individëve që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet për stabilizim në Ballkan, vazhdojnë të pengojnë përparimin demokratik dhe integrimin e rajonit në institucionet euroatlantike, shkruan “EuronewsAlbania”.

Për këto arsye, presidenti amerikan ka vendosur që gjendja e jashtëzakonshme të mbetet në fuqi edhe për 12 muaj të tjerë. Ky vendim do t’i transmetohet Kongresit dhe është bërë zyrtar me publikimin në Regjistrin Federal.

“Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkan, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetet përçarëse, dhe situata në Ballkan, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të madh për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të ShBA-së”, thuhet në urdhrin e nënshkruar Trump.

Urdhri ekzekutiv u miratua për herë të parë më 26 qershor 2001, nga ish-presidenti George W. Bush, pas luftërave në Ballkan.

Qëllimi ishte zbatimi i dispozitave të Ligjit për Kompetencat Ndërkombëtare të Emergjencave Ekonomike, për t’i trajtuar “kërcënimet e pazakonta dhe të jashtëzakonshme për sigurinë e vendit dhe politikën e jashtme të ShBA-së”.

Masat i referoheshin asokohe situatës në Maqedoninë e Veriut, shkeljes së Marrëveshjeve së Dejtonit në Bosnje e Hercegovinë apo Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuar për Kosovën.

Presidenti i ShBA-së më pas e ndryshoi atë urdhër me “Urdhrin Ekzekutiv 13304” më 28 maj 2003, për të ndërmarrë hapa shtesë në lidhje me veprime të caktuara që pengojnë zbatimin, ndër të tjera, të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001 në lidhje me Maqedoninë e Veriut.Gjithashtu, më 8 qershor 2021, u miratua “Urdhri Ekzekutiv 14033”, i cili zgjeroi shtrirjen e gjendjes së jashtëzakonshme në nivel kombëtar.

Në këtë urdhër thuhet se situata në territorin e ish-Jugosllavisë dhe në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit – duke përfshirë cenimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas rënies së Jugosllavisë, si dhe korrupsionin e përhapur në qeveri dhe institucione të ndryshme në Ballkani – pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike.