Trump-Zelensky: Vlerësime pozitive pas takimit në Florida

Ka pasur “përparim të madh”, tha Presidenti i SHBA-së Trump pas takimit të tij me Presidentin ukrainas Zelensky. Edhe presidenti Zelensky foli pozitivisht, por nuk u dhanë detaje.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, folën pozitivisht për bisedimet e zhvilluara në Florida. Trump tha se kishte pasur “progres të madh” dhe se ata ishin shumë më afër një marrëveshjeje ruso-ukrainase, por shtoi, se mbeteshin një ose dy çështje të vështira. Javët në vijim do të tregojnë nëse mund të arrihet një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Presidenti Zelensky, nga ana e tij, tha se pati një diskutim të shkëlqyer me Trump.

Asnjëra palë nuk dha detaje specifike, nëse ka progres në lidhje me lëshimet territoriale. Vlerësimet për gjendjen aktuale të bisedimeve gjithashtu ndryshonin në disa aspekte – për shembull, në lidhje me garancitë e sigurisë që synojnë të parandalojnë Rusinë nga një pushtim i ri i Ukrainës pas një armëpushimi të mundshëm. Zelensky deklaroi se kjo çështje ishte zgjidhur 100 për qind, ndërsa presidenti i SHBA-së tha se ishte zgjidhur 95 për qind.

Evropianët të lidhur me video

Delegacionet nga Ukraina dhe SHBA-ja ishin takuar më parë në pronën private të Trumpit në Mar-a-Lago. Sipas presidentit amerikan, krerët e shteteve dhe qeverive evropiane iu bashkuan takimit në distancë. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, shkroi më pas në platformën X se ishte bërë përparim i mirë gjatë videokonferencës që zgjati afërsisht një orë. Evropa është e gatshme të vazhdojë të punojë me Ukrainën dhe partnerët e saj amerikanë për të konsoliduar këtë përparim. “Garancitë e palëkundura të sigurisë” që nga dita e parë janë thelbësore.

Trump: “Qëllime serioze për paqen” edhe tek Putini

Përfaqësuesit e Rusisë, e cila e filloi luftën pothuajse katër vjet më parë, nuk ishin të pranishëm në bisedimet dypalëshe; SHBA-të e shohin veten si ndërmjetës në konflikt. Megjithatë, Trump deklaroi pas takimit se Rusia do të ndihmonte në rindërtimin e Ukrainës. Ende nuk ka pasur asnjë deklaratë nga qeveria në Moskë pas takimeve. I dërguari i posaçëm rus, Kirill Dmitriev, shkroi në një reagim fillestar ndaj takimit në X: “E gjithë bota i njeh përpjekjet për paqe të Presidentit Trump dhe ekipit të tij.”

Presidenti amerikan ishte shprehur para takimit, se ishte i bindur se mund të arrihej një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Presidenti rus Vladimir Putin, ashtu si Zelensky, ka qëllime “serioze” për paqen, tha Trump. Trump theksoi se Ukraina do të merrte garanci “të forta” sigurie në rast të një marrëveshjeje mbi një plan paqeje, në të cilin do të marrin pjesë edhe evropianët. Pas takimit në Florida, Zelensky tha, se ekipet negociuese nga të dy vendet do të takoheshin përsëri në javët e ardhshme për të finalizuar të gjitha çështjet e diskutuara. Presidenti ukrainas njoftoi se një takim me Trumpin, ukrainasit dhe evropianët mund të zhvillohet në Uashington në janar. /dw