Trump: Zelensky në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen për burimet natyrore dhe rindërtimin e Ukrainës

Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë të premten për të nënshkruar një marrëveshje për burimet natyrore dhe rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga lufta.

“Ne po bëjmë shumë mirë me Rusinë-Ukrainën. Presidenti Zelensky do të vijë të premten. Tani është konfirmuar dhe ne do të nënshkruajmë një marrëveshje”, tha Trump, duke falënderuar Sekretarin e Thesarit Scott Bessent dhe Sekretarin e Tregtisë Howard Lutnick.

Ai shtoi: “Ne kemi qenë në gjendje të bëjmë një marrëveshje ku do të kthejmë paratë tona dhe do të marrim shumë para në të ardhmen, dhe unë mendoj se kjo është e përshtatshme”.

Trump tha se administrata e tij është “e lumtur për” marrëveshjen, e cila mund t’i japë SHBA-së qasje në mineralet e rralla të tokës të Ukrainës, si pjesë e negociatave më të gjera për t’i dhënë fund pushtimit nga Rusia, si dhe përfshirjen e SHBA-së në një fond rindërtimi për Ukrainën.

Ai theksoi se “tatimpaguesit nuk duhet të paguajnë faturën” për paratë që SHBA i ka dhënë Ukrainës që nga pushtimi i Rusisë – një shifër që ai ka pretenduar është në 350 miliardë dollarë.

Por, siç thekson Sky News, disa organe ndërkombëtare si Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore vlerësojnë se shifra është rreth 120 miliardë dollarë.

“Më e rëndësishmja, deri tani, ne do të bëjmë një marrëveshje me Rusinë dhe Ukrainën për të ndaluar vrasjen e njerëzve”, ka shtuar Trump.