Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka përmendur sërish Kosovën dhe Serbinë, duke i përfshirë si pjesë të angazhimeve të tij të fundit në politikën e jashtme. Gjatë një fjalimi në Samitin e NATO-s që po mbahet në Hagë të Holandës, Trump foli për një telefonatë me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe për sfidat globale me të cilat po merret administrata e tij aktuale.
“Putini më tha: ‘A mund të të ndihmoj me Iranin?’ Dhe unë i thashë: ‘Jo, mund të më ndihmosh me Rusinë. Sepse, e dini, javët e fundit kemi qenë të angazhuar me Indinë, Pakistanin, Kosovën, Serbinë. Të premten kemi Kongon dhe Ruandën që po vijnë’”, deklaroi Trump me stilin e tij karakteristik.
Presidenti amerikan e përdori rastin për të rikujtuar ndërmjetësimin që SHBA bëri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të tij të parë, duke thënë se për këtë punë meriton Çmimin Nobel për Paqe.
“Do të duhej të ma kishin dhënë Çmimin Nobel për Ruandën, për Kongon… mund të themi edhe për Serbinë dhe Kosovën, dhe për shumë të tjera. E madhja është India dhe Pakistani. Por nuk ma japin mua, ia japin vetëm liberalëve,” u shpreh Trump.
Deklaratat e Presidentit Trump vijnë në një moment kur dialogu Kosovë–Serbi është në një ngërç të thellë, dhe roli i SHBA-së shihet si vendimtar për çdo përparim në procesin e normalizimit. Përmendja e Kosovës dhe Serbisë në arenën e samitit të NATO-s sinjalizon se rajoni i Ballkanit mbetet pjesë e axhendës ndërkombëtare të Shtëpisë së Bardhë.