Duke folur për gazetarët, Trump tha se informacioni i është përcjellë nga burime të besueshme.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, deklaroi se është informuar se vrasjet e protestuesve në Iran janë ndalur dhe se autoritetet iraniane nuk kanë plane për të kryer ekzekutime.
Duke folur për gazetarët, Trump tha se informacioni i është përcjellë nga burime të besueshme.
“Na është thënë se vrasjet në Iran po ndalen. Janë ndalur. Po ndalen. Dhe nuk ka plane për ekzekutime, apo për ndonjë ekzekutim”, u shpreh ai.
Presidenti amerikan shtoi se do të ketë verifikim të mëtejshëm të këtyre informacioneve, por theksoi se, sipas asaj që i është komunikuar, autoritetet iraniane nuk pritet të ndërmarrin ekzekutime, për të cilat kishte pasur spekulime të shumta ditët e fundit.
“Jam i sigurt se nëse diçka e tillë ndodh, të gjithë do të jemi shumë të shqetësuar, përfshirë edhe ju”, tha Trump, duke nënvizuar se sot ishte përmendur si dita kur mund të ndodhnin ekzekutime, por sipas tij kjo nuk pritet të ndodhë.
Deklarata e presidentit vjen në një moment tensioni të lartë ndërkombëtar, pas protestave masive në Iran dhe paralajmërimeve të mëparshme nga SHBA-të për pasoja të rënda në rast të vazhdimit të dhunës ndaj protestuesve.
Megjithatë, sipas kësaj deklarate të Trump, duket se nuk do të ketë veprime të menjëhershme të ndërmarra nga pala amerikane dhe do të shihet me qetësi zhvillimi i mëtejshëm i situatës.










