Trump shpreson që armëpushimi në Gaza të arrihet “diku javën tjetër”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se shpreson që një armëpushim në Rripin e Gazës të arrihet së shpejti, transmeton Anadolu.

“Shpresojmë që (një armëpushim) të ndodhë dhe presim që të ndodhë diku javën tjetër”, tha Trump për gazetarët para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë.

Trump tha se do të diskutojë për Gazën dhe Iranin me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu javën tjetër në Washington.

“Ai do të vijë këtu. Do të flasim për shumë gjëra. Do të flasim për suksesin e madh që patëm në Iran. Do të flasim edhe për Gazën”, tha Trump.

Komentet e tij erdhën pasi Netanyahu konfirmoi se do të vizitojë Washingtonin javën tjetër për bisedime me zyrtarët amerikanë.

“Do të nisem javën tjetër për takime në SHBA me presidentin e SHBA-së, Donald Trump”, tha Netanyahu në një deklaratë përpara një mbledhjeje të kabinetit.

Netanyahu tha se do të takohet gjithashtu me zëvendëspresidentin JD Vance, sekretarin e Shtetit Marco Rubio, sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, të dërguarin e Trumpit në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe sekretarin e Tregtisë, Howard Lutnick.

“Kemi disa çështje për të mbyllur paraprakisht në mënyrë që të arrijmë marrëveshjen tregtare dhe disa çështje të tjera, takime me udhëheqësit e Kongresit dhe Senatit dhe takime sigurie, të cilat nuk do t’i detajoj këtu”, tha Netanyahu.

The post Trump shpreson që armëpushimi në Gaza të arrihet “diku javën tjetër” appeared first on Kosovapost.net.