Trump shpall bllokadë ndaj Venezuelës dhe kërcënon me “tronditje të paparë”

Donald Trump tha të martën se Shtetet e Bashkuara do të vendosin një bllokadë ndaj Venezuelës, duke synuar anijet cisternë të naftës që tashmë janë të sanksionuara, duke intensifikuar më tej presionin ekonomik mbi Karakasin dhe duke hapur një kapitull të ri në krizën e vazhdueshme mes dy vendeve.

Me mosmarrëveshje prej vitesh, të dy vendet kanë pasur një marrëdhënie gjithnjë e më të tensionuar që kur zoti Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, duke e shndërruar presidentin venezuelian Nicolás Maduro në “delen e tij të zezë” ndërkombëtare.

“Po urdhëroj një bllokadë të plotë dhe totale të të gjitha cisternave të naftës që janë aktualisht të sanksionuara dhe që shkojnë drejt Venezuelës ose dalin prej saj”, njoftoi republikani përmes Truth Social.

Qeveria e Maduros, pretendoi presidenti amerikan, duke përsëritur akuza që i bën shpesh, përdor naftën për të financuar “narkoterrorizmin, trafikimin e qenieve njerëzore, vrasjet dhe rrëmbimet”.

Ai tha gjithashtu se, me vendimin e tij, “regjimi venezuelian u shpall një organizatë e huaj terroriste” dje.

Karakasi reagoi duke e quajtur këtë një “kërcënim grotesk ushtarak”, të cilin e “hedh poshtë”.

“Presidenti amerikan po përpiqet të imponojë, në një mënyrë krejtësisht absurde, një bllokadë të supozuar ushtarake detare të Venezuelës me qëllim vjedhjen e pasurisë që i përket vendit tonë”, theksoi qeveria e presidentit Maduro në deklaratën e saj.

Qeveria e zotit Trump e akuzon presidentin venezuelian Maduro si kreun e një rrjeti të trafikimit të drogës, diçka që ai e mohon kategorikisht, duke akuzuar Uashingtonin se kërkon ta rrëzojë me qëllim sekuestrimin e rezervave të mëdha të naftës së vendit latino-amerikan.

Që nga gushti, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur anije luftarake në Karaibe, përfshirë shkatërrues me raketa të drejtuara dhe anije sulmi amfibe, një nëndetëse me energji bërthamore, aeroplanmbajtësen më të madhe në botë, USS Gerald Ford, si dhe avionë luftarakë shumërolësh F-35, avionë luftarakë elektronikë F/A-18 Growler dhe avionë furnizimi ajror me bazë në Porto Riko. Zyrtarisht, Uashingtoni flet për manovra si pjesë e një operacioni për të luftuar trafikimin e drogës drejt tregut amerikan.

Që nga fillimi i shtatorit, të paktën 26 anije që administrata Trump thotë se janë të përfshira në trafikimin e drogës janë bombarduar nga ushtria amerikane, kryesisht në Karaibe dhe në Paqësorin lindor. Nuk është paraqitur kurrë asnjë provë se anijet e synuara ishin të përfshira në aktivitete kriminale. Të paktën 95 persona kanë vdekur në këto sulme.

Ligjshmëria e këtyre operacioneve vihet në dyshim nga ekspertët dhe OKB-ja. “Venezuela është e rrethuar plotësisht nga armata më e madhe e mbledhur ndonjëherë në historinë e Amerikës së Jugut”, tha dje Donald Trump, duke shtuar se fuqia e saj do të vazhdojë të “rritet”.

“Tronditja që do të pësojnë do të jetë e pashembullt”, kërcënoi presidenti amerikan, i cili herë pas here ngre mundësinë e operacioneve tokësore në territorin venezuelian.

Një politikë e mirëpritur nga udhëheqësja e opozitës, María Corina Machado, e cila mori Çmimin Nobel për Paqen këtë vit. Gjatë fundjavës, ajo i tha rrjetit televiziv amerikan CBS News se nevojitet “më shumë presion” në mënyrë që “Maduro të kuptojë se duhet të largohet” dhe të heqë dorë nga pushteti.

Venezuela, e cila ndodhet nën embargo amerikane për naftën e saj që nga viti 2019, është e detyruar të shesë në tregun e zi me çmime më të ulëta. Shumica e shitjeve janë të destinuara për Kinën.

Sekuestrimi i një cisterne

Njoftimi i presidentit amerikan erdhi një javë pasi SHBA-të sekuestruan një cisternë që mbante një sasi të madhe nafte në brigjet e Venezuelës dhe e sollën atë në një port amerikan. Bëhej fjalë për Skipper, e cila besohej se ishte nisur drejt Kubës.

Anija mbante midis një dhe dy milionë fuçi naftë bruto venezueliane, me vlerë midis 50 dhe 100 milionë dollarësh, sipas burimeve të ndryshme.

Sipas Uashingtonit, anija ishte subjekt i sanksioneve të SHBA-së që nga viti 2022 për shkak të lidhjeve të saj të dyshuara me Gardën Revolucionare, një korpus elitar i forcave të armatosura të Iranit, dhe lëvizjen libaneze Hezbollah.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se po vazhdonte me “sekuestrimin e naftës” së Skipper, duke pranuar megjithatë se kjo mund të ketë ndërlikime ligjore.

Njoftimi i bllokadës erdhi gjithashtu ndërsa sekretarët amerikanë të Mbrojtjes dhe të Shtetit mbrojtën dje në Kongres sulmet kundër motoskafeve që administrata Trump thotë se po transportonin drogë në Karaibe dhe Paqësor.

Çështja ka shkaktuar reagime të ashpra në Uashington, veçanërisht pas një operacioni në fillim të shtatorit, në të cilin u kryen dy sulme, i dyti për të vrarë dy të mbijetuar të një anijeje që tashmë ishte në flakë.