Trump rrit tarifat në 50 për qind për çelikun, cili shtet pritet të goditet më së shumti?

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se planifikon të rrisë tarifat doganore për importin e çelikut në SHBA nga 25 në 50 për qind, duke shtuar kështu presionin mbi prodhuesit globalë të çelikut dhe duke premtuar se do ta thellojë luftën e tij tregtare.

“Do të vendosim një rritje prej 25 për qind në tarifat doganore. Do t’i çojmë tarifat për çelikun në SHBA nga 25 në 50 për qind, çka do ta forcojë edhe më tej industrinë e çelikut në SHBA”, tha ai në një tubim në Pensilvani.

Në muajin shkurt, Trump i kishte rritur tarifat për çelikun dhe aluminin në 25 për qind “pa përjashtime”, si një nga veprimet e tij të para për të ndihmuar industritë që përballen me konkurrencën e huaj, shkruan cnn.

Tarifat do të zbatoheshin për miliona tonë çelik dhe alumin të importuar nga Kanadaja, Brazili, Meksika, Koreja e Jugut dhe vende të tjera që deri atëherë eksportonin në SHBA pa tarifë doganore.

Më pas ai shkroi në rrjetet sociale se tarifa më e lartë do të hyjë në fuqi të mërkurën, më 4 qershor.

Në vitin 2018, kur Trump vendosi disa tarifa çeliku në mandatin e parë, prodhimi amerikan u zgjerua në mënyrë modeste, por rriti kostot për veturat, veglat dhe makineritë dhe zvogëloi prodhimin e këtyre industrive me më shumë se 3 miliardë dollarë në vitin 2021, zbuloi Komisioni Ndërkombëtar i Tregtisë në një analizë të vitit 2023. Kostot mund të kenë tejkaluar përfitimet.