Presidenti amerikan po i jep zë një fushate hakmarrjeje kundër armiqve të tij politikë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka hequr lejet e sigurisë për Kamala Harris dhe Hillary Clinton.
Trump njoftoi të premten mbrëma se ish-zëvendëspresidenti dhe ish-Zonja e Parë dhe Sekretarja e Shtetit, do të përfshihen në listën e individëve që ai dëshiron t’u hiqet aksesi në informacione të ndjeshme qeveritare. Ai mundi Clinton në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe Harris në vitin 2024.
Lista e Trump përfshinte gjithashtu Fiona Hill, eksperten për Rusinë, e cila ka qenë kritike ndaj qëndrimit të tij ndaj luftës në Ukrainë si gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, ashtu edhe kohët e fundit, pasi ai ka kërkuar të ndërmjetësojë një zgjidhje të konfliktit.
“Kam vendosur se nuk është më në interesin kombëtar që individët e mëposhtëm të kenë akses në informacionin e klasifikuar”, shkroi Trump në një memo drejtuar krerëve të agjencive qeveritare.
Trump kishte përfshirë tashmë Joe Biden në listën e njerëzve që duhet të privohen nga lejet e sigurisë, së bashku me disa nga ndihmësit kryesorë të ish-presidentit, duke përfshirë Jake Sullivan, ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare dhe Antony Blinken, ish-Sekretarin e Shtetit.
Lëvizja e Trump nxjerr në pah shkallën në të cilën ai po përdor muajt e parë të presidencës së tij të dytë për të synuar armiqtë politikë. Kjo përfshin demokratët dhe gjithashtu republikanët që kanë kundërshtuar rikthimin e tij në detyrë, si Liz Cheney, ish-kongresmenja e Wyoming, së cilës iu hoqën gjithashtu lejet e sigurisë.
Trump ka vënë në shënjestër gjithashtu Alvin Bragg, prokurorin e qarkut të Manhattan-it dhe Letitia James, prokuroren e përgjithshme të shtetit të Nju Jorkut, pasi ata ngritën çështje ligjore kundër tij, duke përfshirë atë që çoi në dënimin e tij për falsifikimin e të dhënave të biznesit vitin e kaluar.