Presidenti amerikan kritikon ashpër aleatët evropianë, ndërsa Rusia përshkallëzon sulmet ndaj Ukrainës.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka shtuar kritikat ndaj Evropës, duke deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin “i trembet Shteteve të Bashkuara, por jo Evropës”.
Sipas Trump, qeveritë evropiane nuk kanë ndikimin e nevojshëm për të frenuar Kremlinin.
Duke folur për gazetarët, Trump hodhi poshtë mundësinë e një operacioni amerikan për kapjen e Putinit, të ngjashëm me atë që çoi në ndalimin e Nicolás Maduros, duke e cilësuar një veprim të tillë si të panevojshëm.
“Putini nuk ka frikë nga Evropa. Ai druhet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të udhëhequra nga unë”, u shpreh Trump.
Ai përsëriti gjithashtu qëndrimet e tij kritike ndaj Evropës, duke thënë se kontinenti ka “mbetur pas” dhe se disa zona janë bërë “të panjohshme” për shkak të emigracionit.
Deklaratat e tij vijnë në një moment tensioni të shtuar, teksa Rusia lëshoi raketën e re balistike hipersonike “Oreshnik” drejt Ukrainës, duke goditur një objektiv rreth 100 kilometra larg Polonisë, vend anëtar i NATO-s.
Moska tha se sulmi ishte përgjigje ndaj një tentative të supozuar me dron ndaj një rezidence të Putinit, pretendim që Kievi e mohoi.










