Trump për mandatin e tretë “Shumë njerëz më pyesin, ka mënyra për ta bërë këtë”

Presidenti nuk e përjashtoi këtë mundësi në intervistën e tij për NBC. Por Kushtetuta sot e bën shumë të vështirë këtë mundësi. Truku: të zgjidhet Vance dhe pastaj të kalohet pushteti tek Manjati.

Donald Trump nuk përjashton mundësinë e kërkimit të një mandati të tretë në Shtëpinë e Bardhë, gjë që ndalohet nga Amendamenti i 22-të i Kushtetutës.

Në një intervistë për NBC (e njëjta në të cilën ai kërcënoi se do të vendoste tarifa ndaj Putinit dhe do të bombardonte Iranin), presidenti shpjegon se ka disa mënyra për ta bërë këtë.

Dhe ai specifikon se nuk është duke bërë shaka me këtë.

“Shumë njerëz duan që unë ta bëj këtë. Por u thashë se kemi ende shumë për të bërë dhe se është ende shumë herët. Unë jam i fokusuar në mandatin aktual”, tha Trump.

I pyetur nëse i ishin paraqitur plane për një mandat të tretë, Trump u përgjigj “Ka mënyra për ta bërë këtë”.

”Një prej tyre”, konfirmoi ai, është që zëvendëspresidenti J.D. Vance të kandidojë dhe pastaj t’ia kalojë stafetën.

“Kjo është një metodë, por ka të tjera”, tha Trump në përgjigje të një pyetjeje nga një gazetar i NBC.

Megjithatë, ndryshimi i Kushtetutës për të lejuar një mandat të tretë presidencial është një rrugë jashtëzakonisht e vështirë për t’u ndjekur: ai kërkon ose një votë të dy të tretave të Kongresit ose dy të tretat e shteteve që bien dakord të thërrasin një konventë kushtetuese për të propozuar ndryshime.

Të dyja rrugët do të kërkonin më pas ratifikimin nga tre të katërtat e shteteve.

Kufiri aktual me dy mandate është vendosur nga Amendamenti i 22 i Kushtetutës, i paraqitur në 1947 për të shmangur një rast si ai i Franklin Delano Roosevelt, i cili u zgjodh katër herë në Shtëpinë e Bardhë.