Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se administrata e tij po përgatit sulme tokësore që, sipas tij, do të shtrihen në të gjithë territorin e Venezuelës, si pjesë e strategjisë amerikane për luftimin e trafikut ndërkombëtar të drogës.
“Ne kemi neutralizuar 96 për qind të drogës që vinte nga deti. Tani po fillojmë nga toka; nga toka është shumë më e lehtë dhe kjo do të fillojë të ndodhë”, u shpreh Trump gjatë një deklarate publike, duke theksuar se faza e re e operacioneve do të përqendrohet në rrugët tokësore të trafikut.
Sipas presidentit amerikan, këto veprime nuk kanë në shënjestër drejtpërdrejt Venezuelën si shtet apo popullin venezuelian, por individë dhe grupe kriminale që ai i cilësoi si “njerëz të tmerrshëm”.
Trump tha se këta persona janë të përfshirë në trafik droge dhe, sipas tij, mbajnë përgjegjësi për vdekjen e shumë qytetarëve amerikanë si pasojë e drogave që hyjnë në SHBA.
Deklaratat e Trumpit vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme mes Uashingtonit dhe Karakasit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ka shprehur më herët shqetësime lidhur me përdorimin e forcës ushtarake dhe respektimin e sovranitetit të vendeve.
Kujtojmë se forcat amerikane, në disa raste, kanë ndërmarrë operacione ushtarake kundër anijeve që dyshohej se transportonin lëndë narkotike me destinacion Shtetet e Bashkuara, kryesisht në ujërat ndërkombëtare.
Megjithatë, paralajmërimi për sulme tokësore përfaqëson një përshkallëzim të ri të qasjes amerikane ndaj luftës kundër trafikut të drogës dhe pritet të ngjallë reagime të forta politike dhe diplomatike në nivel global. /Telegrafi/











