Donald Trump ka thënë se nuk donte një takim të kotë pasi një plan për të zhvilluar bisedime ballë për ballë me homologun e tij rus Vladimir Putin rreth luftës në Ukrainë u pezullua.
Presidenti amerikan tregoi se një pikë kyçe ngërçi mbeti refuzimi i Moskës për të ndërprerë luftimet përgjatë vijës aktuale të frontit, në komentet e tij në Shtëpinë e Bardhë të martën, shkruan BBC.
Më parë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë kishte thënë se nuk kishte “plane” për një takim Trump-Putin “në të ardhmen e afërt”, pasi Trump tha të enjten se të dy do të zhvillonin bisedime në Budapest brenda dy javësh.
Dallimet kryesore midis propozimeve të SHBA-së dhe Rusisë për paqe u bënë gjithnjë e më të qarta këtë javë, duke duket se kanë shuar shanset për një samit.
Trump dhe Putin u takuan për herë të fundit në Alaska në gusht, gjatë një samiti të organizuar me nxitim, i cili nuk dha rezultate konkrete.
Vendimi i Shtëpisë së Bardhë për të shtyrë planet për një takim të dytë Trump-Putin mund të shihet si një përpjekje për të shmangur një skenar tjetër të ngjashëm.
Një takim përgatitor midis Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ishte planifikuar të mbahej këtë javë, por Shtëpia e Bardhë tha se të dy kishin pasur një telefonatë “produktive” dhe se një takim nuk ishte më “i nevojshëm”./abcnews.al