Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se SHBA do të heqë të gjitha sanksionet ndaj Sirisë, duke e cilësuar këtë si një hap drejt një kapitulli të ri për vendin e Lindjes së Mesme.
Deklarata u bë publike në prag të një takimi të paralajmëruar për nesër mes Trump dhe presidentit sirian Ahmed al-Sharaa, i cili ka marrë drejtimin e vendit pas rënies së regjimit të Bashar al Assad.
“Sanksionet ndaj Sirisë, që u vendosën gjatë sundimit të ish-diktatorit Bashar al Assad, ishin brutale dhe shkatërruese,” tha Trump, duke shtuar se ato kishin shërbyer për një “funksion të rëndësishëm në atë kohë”.
“Por tani është koha e tyre për të shkëlqyer. Po i heqim të gjitha. Fat të mbarë, Siri na tregoni diçka shumë të veçantë,” deklaroi ai.
Ky zhvillim shënon një ndryshim të madh në qëndrimin e SHBA-së ndaj Sirisë, pas më shumë se një dekade sanksionesh të ashpra ekonomike dhe diplomatike, të cilat synonin të izolonin regjimin e Asadit dhe të nxisnin tranzicionin demokratik.
Dje, Trump kishte lënë të kuptohej se mund ta “ndihmonte Sirinë”, duke deklaruar se sanksionet aktuale “nuk u japin shumë mundësi për të filluar nga e para”.
Ndërsa pritet takimi i tij me presidentin Sharaa, vëzhguesit ndërkombëtarë po ndjekin nga afër nëse ky vendim do të pasohet nga bashkëpunim i ri diplomatik, ekonomik apo strategjik mes SHBA-së dhe Sirisë.