Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi menjëherë se po ndërpret të gjitha bisedimet tregtare me Kanadanë, për shkak të një reklame që pa në televizion.
Në platformën Truth Social, ai shkroi se kanadezët kishin publikuar një reklamë në të cilën ish-presidenti amerikan, Ronald Reagan flet negativisht për tarifat doganore.
“Bazuar në sjelljen e tyre të papranueshme, të gjitha negociatat tregtare me Kanadanë ndërpriten menjëherë”, shkroi Trump.
Lideri amerikan vendosi një tarifë prej 35 për qind për importet nga Kanada, megjithëse bëri përjashtime për mallrat që përfshihen në Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Meksikën dhe Kanadanë (USMCA), të cilën 79-vjeçari e kishte negociuar gjatë mandatit të tij të parë.
Trump vendosi gjithashtu tarifa sektoriale për mallrat kanadeze, duke përfshirë 50 për qind për metalet dhe 25 për qind për veturat.
Sa i përket reklamës së diskutueshme, në të përdoret një regjistrim nga viti 1987 ku ish-presidenti amerikan, Reagan flet për tarifat doganore.
Ontario shpenzoi 75 milionë dollarë për transmetimin e kësaj reklame antitarifore në Shtetet e Bashkuara, e cila synon votuesit republikanë.
Zyra e kryeministrit të Ontarios bëri të ditur se reklama do të fillojë të transmetohet në Newsmax dhe Bloomberg, dhe gjatë dy javëve të ardhshme edhe në Fox News, Fox Sports, NBC, CBS, CNBC, ESPN dhe ABC, si edhe në degët lokale të këtyre rrjeteve dhe në stacionet lokale të Comcast, Spectrum dhe Sinclair Group.
– YouTube www.youtube.com










