Në një deklaratë të publikuar në Truth Social, Trump e quajti lajmin “FAKE NEWS!”.
Presidenti amerikan Donald J. Trump ka mohuar raportimet e Wall Street Journal, sipas të cilave administrata e tij ka hequr kufizimet për përdorimin nga Ukraina të raketave me rreze të gjatë kundër objektivave brenda territorit rus.
Në një deklaratë të publikuar në Truth Social, Trump e quajti lajmin “FAKE NEWS!”, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë lidhje me ato raketa, nga cilido vend që të vijnë, apo me atë që Ukraina vendos të bëjë me to!”.
Më herët, Wall Street Journal kishte raportuar, duke cituar zyrtarë amerikanë, se administrata e Trump kishte autorizuar në heshtje Kievin të përdorte raketat e furnizuara nga aleatët perëndimorë – përfshirë “Storm Shadow” britanike dhe raketat amerikane me rreze të gjatë – për të goditur objektiva në thellësi të Rusisë.
“Administrata e presidentit Donald Trump ka hequr kufizimet kryesore mbi përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, që Ukraina ka marrë nga aleatët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara”, raportoi Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë.
Vendimi përfshin përdorimin e raketave “Storm Shadow” dhe armëve të tjera të avancuara ajrore, të cilat tani mund të përdoren kundër objektivave brenda territorit rus – një ndryshim i rëndësishëm në politikën e deritanishme të Washingtonit dhe NATO-s.
Ky hap pritet të rrisë ndjeshëm presionin mbi presidentin rus Vladimir Putin dhe Kremlinin, duke i dhënë Ukrainës aftësi më të mëdha goditëse në thellësi të vijës së kundërshtarit.
Sipas zyrtarëve amerikanë, vendimi është marrë në koordinim me aleatët perëndimorë, ndërsa qëllimi është të forcohet pozita ushtarake e Kievit dhe të detyrohet Moska drejt negociatave për paqe nën kushte më të favorshme për Ukrainën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se vendet anëtare të Aleancës kanë blerë armë amerikane në vlerë prej 2 miliardë dollarësh për t’ia dërguar Ukrainës.
Sipas Rutte-s, vendimi vjen pas marrëveshjes me presidentin Donald Trump, i cili ka rinisur furnizimet me armë drejt Kievit, por këtë herë me koston që do të mbulohet nga aleatët e NATO-s.
Ky hap sinjalizon një ndryshim të qasjes amerikane ndaj luftës në Ukrainë, duke e zhvendosur barrën financiare te vendet evropiane, ndërsa Washingtoni fokusohet në koordinimin dhe prodhimin e armëve.
Burime diplomatike pranë NATO-s thanë se fondet do të përdoren kryesisht për blerjen e municioneve, raketave mbrojtëse dhe pajisjeve për mbrojtje ajrore, në përpjekje për të forcuar vijën e frontit në lindje të Ukrainës.
Rutte ka shprehur po ashtu mbështetje për thirrjen e presidentit amerikan Donald Trump që Ukraina dhe Rusia të ndalin luftime në vijën e frontit ku ndodhen aktualisht.
Në përgjigje të një pyetjeje se a duhet të ketë armëpushim para bisedimeve për paqen, Rutte tha:
“Dëgjohet thjesht, por pikërisht kjo është e nevojshme. Pra, unë pajtohem plotësisht me të. Stop ku jeni tani – ky është mesazhi kryesor”.
Ai shtoi se dialogu do të vazhdojë gjatë ditëve në vijim dhe se NATO do të përdorë të gjitha mjetet e saj për të mbështetur këtë vizion.