Trump kërcënon të hyjë në Nigeri “me armë zjarri”, për shkak të sulmeve ndaj të krishterëve

Presidenti amerikan thotë se i urdhëroi Pentagonit të fillojë planifikimin për veprim.

Donald Trump tha të shtunën se i kishte urdhëruar Pentagonit të fillojë planifikimin për veprime të mundshme ushtarake në Nigeri, ndërsa shtoi kritikat e tij se qeveria po dështon në frenimin e persekutimit të të krishterëve në vendin e Afrikës Perëndimore.

“Nëse Qeveria Nigeriane vazhdon të lejojë vrasjen e të krishterëve, SHBA-të do të ndalojnë menjëherë të gjitha ndihmat dhe asistencën për Nigerinë, dhe mund të hyjnë në atë vend tani të turpëruar, “me armë zjarri”, për të zhdukur plotësisht terroristët islamikë që po kryejnë këto mizori të tmerrshme”, postoi Trump në mediat sociale.

“Me anë të kësaj po i udhëzoj Departamentin tonë të Luftës të përgatitet për veprime të mundshme. Nëse sulmojmë, do të jetë i shpejtë, i egër dhe i ëmbël, ashtu si banditët terroristë sulmojnë të krishterët tanë të dashur!”.

Paralajmërimi për veprime të mundshme ushtarake erdhi pasi presidenti i Nigerisë, Bola Ahmed Tinubu, më herët të shtunën kundërshtoi njoftimin e Trump një ditë më parë se ai po e përcaktonte vendin e Afrikës Perëndimore “një vend me shqetësim të veçantë” për shkak të dështimit të dyshuar për të frenuar persekutimin e të krishterëve.

Në një deklaratë në mediat sociale të shtunën, Tinubu tha se karakterizimi i Nigerisë si një vend intolerant ndaj feve nuk pasqyron realitetin kombëtar.

“Liria dhe toleranca fetare kanë qenë një parim thelbësor i identitetit tonë kolektiv dhe do të mbeten gjithmonë të tilla”, tha Tinubu. “Nigeria kundërshton persekutimin fetar dhe nuk e inkurajon atë. Nigeria është një vend me garanci kushtetuese për të mbrojtur qytetarët e të gjitha besimeve”.

Trump tha të premten se “Krishterimi po përballet me një kërcënim ekzistencial në Nigeri” dhe “islamistët radikalë janë përgjegjës për këtë masakër masive”.

Komenti i Trump erdhi disa javë pasi senatori amerikan Ted Cruz i kërkoi Kongresit të caktojë vendin më të populluar të Afrikës si shkelës të lirisë fetare me pretendime për “vrasje masive të të krishterëve”.

Popullsia e Nigerisë prej 220 milionë banorësh është e ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë midis të krishterëve dhe myslimanëve. Vendi është përballur prej kohësh me pasiguri nga fronte të ndryshme, përfshirë grupin ekstremist Boko Haram, i cili kërkon të krijojë interpretimin e tij radikal të ligjit islamik dhe gjithashtu ka synuar myslimanët që i konsideron jo mjaftueshëm myslimanë.