Trump: Kemi rënë dakord të lëvizim shpejt drejt ‘armëpushimit të plotë’ në Ukrainë

Presidenti amerikan, Donald Trump ka dhënë detaje të tjera rreth bisedës telefonike me homologun rus, Vladimir Putin.

“Biseda ime telefonike sot me presidentin Putin të Rusisë ishte një bisedë shumë e mirë dhe produktive”, tha ai.

“U pajtuam për një armëpushim të menjëhershëm në të gjithë energjetikën dhe infrastrukturë, me një mirëkuptim që do të punojmë shpejt për të arritur një armëpushim të plotë dhe, në fund, për të përfunduar këtë luftë shumë të tmerrshme mes Rusisë dhe Ukrainës”, shtoi 78-vjeçar në Truth Social.

Tani presidenti amerikan do të duhet të punojë që Ukraina të pajtohet me ndërprerjen 30-ditore të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.

Trump gjithashtu përsëriti pohimet se lufta nuk do të kishte filluar kurrë nën drejtimin e tij.

“Shumë elementë të një kontrate për paqen u diskutuan, përfshirë faktin që mijëra ushtarë po vriten, dhe si presidenti Putin ashtu edhe presidenti Zelensky do të donin ta shihnin atë të përfundojë. Ky proces tani është në fuqi dhe efekt të plotë, dhe ne do ta përfundojmë këtë punë, shpresojmë, për hir të njerëzimit!”, përfundoi ai.

Ndryshe, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deri më tani nuk ka reaguar rreth zhvillimeve të fundit ndërsa ndodhet në një vizitë në Finlandë.