Trump: Katari do të blejë 160 aeroplanë Boeing në vlerë të 200 miliardë dollarëve

Katari ka nënshkruar të mërkurën një marrëveshje për të blerë 160 aeroplanë nga prodhuesi amerikan, Boeing për nevojat e kompanisë ajrore Qatar Airways.

Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti amerikan, Donald Trump dhe Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, gjatë vizitës së liderit amerikan në këtë vend të Gjirit.

Trump deklaroi se marrëveshja kap vlerën e 200 miliardë dollarëve dhe përfshin 160 aeroplanë, shkruan cnn.

“Pra, bëhet fjalë për mbi 200 miliardë dollarë, por 160 janë vetëm për aeroplanët – kjo është fantastike”, tha 78-vjeçari dhe shtoi se “ky është një rekord, Kelly, pra urime për Boeing-un”, duke iu drejtuar CEO-s së Boeing-ut, Kelly Ortberg, i cili ishte i pranishëm në sallë.

Ndryshe, porositë për Boeing gjatë vitit të kaluar pothuajse u ndalën pasi një derë emergjente u shkëput nga një aeroplan Alaska Airlines 737 Max në fillim të vitit 2024, duke lënë një vrimë të madhe në trupin e aeroplanit.

Edhe pse kishte një rikthim të porosive drejt fundit të vitit 2024, porositë bruto të Boeingut ishin vetëm 569 për të gjithë vitin – një rënie e madhe prej 60 për qind krahasuar me vitin 2023.

Tarifat e vendosura nga Trump ishin një goditje tjetër për kompaninë, e cila tashmë po përballej me vështirësi.

Boeing është eksportuesi më i madh amerikan dhe tarifat rrezikojnë ta bëjnë prodhimin e aeroplanëve shumë më të shtrenjtë, sidomos nëse vendet e huaja vendosin tarifa hakmarrëse.