Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar Iranit të bëjë një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor, duk thënë ende ka kohë që vendi të parandalojë konflikte të mëtejshme me Izraelin.
“I dhashë Iranit shans pas shansi për të bërë një marrëveshje. U thashë atyre, me fjalët më të ashpra, “thjesht ta bëjnë”, por pavarësisht se sa shumë u përpoqën, pavarësisht se sa afër arritën, ata thjesht nuk mundën ta bënin.
U thashë atyre se do të ishte shumë më keq se çdo gjë që ata dinin, parashikonin ose u ishte thënë, se Shtetet e Bashkuara prodhojnë pajisjet më të mira dhe më vdekjeprurëse ushtarake kudo në botë, PA DORËZIM, dhe se Izraeli ka shumë prej tyre, me shumë më tepër që do të vijnë – Dhe ata dinë si t’i përdorin ato”, ka thënë Trump ndër të tjera.
Bisedimet midis SHBA-së dhe Iranit për një marrëveshje ishin gati të hynin në raundin e tyre të gjashtë të dielën. /Reporteri.net/
Izraeli godet sërish objektin bërthamor të Iranit, sulmet vazhdojnë në disa qytete

Izraeli raportohet se ka goditur përsëri objektin bërthamor të pasurimit të uraniumit në Natanz të Iranit.
Televizioni shtetëror iranian dhe agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars transmetuan lajmin për sulmin, duke raportuar se sulmet e Izraelit ishin ende në vazhdim disa orë pasi kishin filluar para agimit, siç transmeton Associated Press.
Televizioni shtetëror raportoi gjithashtu sulme në Shiraz dhe Tabriz. /Reporteri.net/
Irani zotohet për hakmarrje për sulmet izraelite, thotë se do ta shkruajë ‘fundin e kësaj historie’

Irani u zotua të hakmerret për sulmin ndaj objekteve të tij bërthamore dhe vrasjen në Teheran të udhëheqësit të lartë ushtarak iranian, duke thënë se do të përgjigjet me forcë dhe se “fundi i kësaj historie do të shkruhet nga dora e Iranit”.
Në shenjat e para të një kundërsulmi, Izraeli tha se Irani kishte lëshuar 100 dronë drejt Izraelit dhe se mbrojtja e tij ajrore po i kapte ato jashtë territorit izraelit. Iraku tha se më shumë se 100 dronë iranianë kishin kaluar hapësirën e tij ajrore, dhe, menjëherë pas kësaj, Jordania fqinje tha se forcat e saj ajrore dhe sistemet e mbrojtjes kishin kapur disa raketa dhe dronë që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore, nga frika se ato do të binin në territorin e saj.
Duke iu përgjigjur sulmit më serioz ndaj Iranit që nga revolucioni i vitit 1979, udhëheqësi suprem i vendit, Ajatollah Ali Khamenei, kërcënoi me “ndëshkim të rëndë” dhe pretendoi se zonat e banimit ishin shënjestruar, raporton The Guardian.
Udhëheqja iraniane u zotua për një përgjigje ushtarake dhe diplomatike, duke thënë se gratë dhe fëmijët ishin vrarë në sulmet në të gjithë Iranin.
Në një deklaratë qeveria iraniane akuzoi Izraelin për terrorizëm dhe këmbënguli se sulmi tregoi se “nuk i përmbahet asnjë rregulli apo ligji ndërkombëtar”.
“Nisja e një lufte me Iranin është të luash me bishtin e luanit”, shtoi deklarata. /Reporteri.net/
MPJD del me apel për qytetarët e Kosovës që ndodhen në Izrael: Shmangni lëvizjet e panevojshme

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka këshilluar qytetarët e Kosovës që ndodhen aktualisht në Izrael, që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në vende të sigurta, shkruan Reporteri.net.
MPJD ka publikuar një link dhe ka apeluar që shtetasit e Kosovës të ndjekin udhëzimet.
“Ju lutemi të ndiqni me përpikëri udhëzimet e Komandës së Mbrojtjes së Brendshme të Izraelit, të cilat mund t’i gjeni në linkun: https://www.oref.org.il/eng Për çdo pyetje apo nevojë për ndihmë, ju lutemi mos hezitoni të kontaktoni Ambasadën e Republikës së Kosovës në Izrael në numrin: +972 (0) 586 340 450”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Izreali ka nisur sulm ndaj Iranit. Ushtria izraelite ka thënë se 200 avionë luftarakë janë përdorur në sulmet e saj të vazhdueshme ndaj Iranit.
“Më shumë se 100 objektiva janë goditur në të gjithë Iranin”, tha zëdhënësja e IDF-së, Effie Defrin, gjatë një brifingu të drejtpërdrejtë, duke shtuar se “mbi 330 municione të ndryshme” janë hedhur tashmë.
Defrin tha se sulmet e Izraelit ishin “pjesë e një operacioni të saktë dhe të sinkronizuar” dhe se pilotët e saj “po godisnin ende objektiva ushtarake dhe objektiva nga programi bërthamor në zona të ndryshme në Iran”./Reporteri.net
MPJ me thirrje për shtetasit e Maqedonisë: Përmbahuni nga udhëtimi në Izrael dhe Iran

Në lidhje me informacionet për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë mes Izraelit dhe Iranit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme apelon te të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut që ndodhen në territorin e Izraelit dhe Iranit të ndjekin portalet kombëtare për raste emergjente dhe të veprojnë sipas udhëzimeve të institucioneve kompetente.
Njëkohësisht, MPJ u bënë thirrje të gjithë shtetasve të RMV-së të përmbahen nga çdo udhëtim drejt vendeve të këtij rajoni, deri në përmirësimin e gjendjes së sigurisë.
“Sipas informacionit të marrë nga Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv, për momentin hapësira ajrore mbi Izraelin dhe Iranin është e mbyllur, ashtu si edhe aeroportet në Tel Aviv dhe Teheran, pa ndonjë njoftim konkret për rifillimin e trafikut ajror të rregullt”, thonë nga MPJ.
“I kujtojmë qytetarët tanë se, në rast nevoje për ndihmë, mund të kontaktojnë në kontaktet e mëposhtme:
Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv: Tel: +972 54 500 8566 / +972 54 967 0546; E-mail: [email protected]”.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme: Tel: +389 75 273 732 / +389 75 268 736; E-mail: [email protected]”.
“Njoftojmë se brenda Ministrisë është formuar një shtab krize i cili po e ndjek vazhdimisht situatën dhe do ta informojë opinionin publik në kohë për të gjitha zhvillimet e reja”, thonë nga MPJ.
Izraeli thotë se angazhoi 200 aeroplanë luftarakë për ta sulmuar Iranin

Ushtria izraelite thotë se 200 avionë luftarakë janë përdorur në sulmet e saj të vazhdueshme ndaj Iranit.
“Më shumë se 100 objektiva janë goditur në të gjithë Iranin”, tha zëdhënësja e IDF-së, Effie Defrin, gjatë një brifingu të drejtpërdrejtë, duke shtuar se “mbi 330 municione të ndryshme” janë hedhur tashmë.
Defrin tha se sulmet e Izraelit ishin “pjesë e një operacioni të saktë dhe të sinkronizuar” dhe se pilotët e saj “po godisnin ende objektiva ushtarake dhe objektiva nga programi bërthamor në zona të ndryshme në Iran”.