Presidenti amerikan Donald Trump, 79-vjeç, i martuar tre herë, pranoi se rrezikonte të akuzohej për seksizëm me komentet për udhëheqësen e së djathtës ekstreme Meloni, e cila qëndronte pas tij në podium. shkruan France24.
“Nuk më lejohet ta them sepse zakonisht është fundi i karrierës tënde politike nëse e thua – ajo është një grua e re e bukur”, tha Trump në mes të një fjalimi rreth përpjekjeve të tij për paqe në Lindjen e Mesme.
“Nëse përdor fjalën ‘e bukur’ në Shtetet e Bashkuara për një grua, ky është fundi i karrierës tënde politike, por unë do të provoj shanset e mia”, shtoi ai.
Duke u kthyer për t’iu drejtuar 48-vjeçares, Trump tha: “Nuk të shqetëson të të quajnë të bukur, apo jo? Sepse je”, transmeton Telegrafi.
Reagimi i menjëhershëm i Melonit nuk mund të shihej, pasi shpina e Trump ishte midis saj dhe kamerave.
Trump vazhdoi ta quante Melonin, një aleate ideologjike kur bëhet fjalë për çështjet e imigracionit dhe kulturës, “të pabesueshme”.
“Dhe ata e respektojnë vërtet në Itali. Ajo është një politikane shumë e suksesshme”, shtoi ai.
Meloni ishte e vetmja grua midis rreth 30 udhëheqësve të mbledhur në skenën pas Trump për samitin, ku ata nënshkruan një deklaratë duke u zotuar të ndihmojnë në nxitjen e paqes për Gazën. /Telegrafi/