Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump po shqyrton mbylljen e afro 30 ambasadave dhe konsullatave jashtë vendit, ndërsa synon të bëjë ndryshime të rëndësishme në praninë e saj diplomatike në botë, sipas një dokumenti të brendshëm të Departamentit të Shtetit të siguruar nga CNN.
Në dokument rekomandohet mbyllja e ambasadave në Maltë, Luksemburg, Lesoto, Republikën e Kongos, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Sudanin e Jugut. Lista përfshin gjithashtu pesë konsullata në Francë, dy në Gjermani, dy në Bosnje dhe Hercegovinë, një në Mbretërinë e Bashkuar, një në Afrikën e Jugut dhe një në Korenë e Jugut.
Po ashtu, dokumenti sugjeron zvogëlimin e pranisë në misionet diplomatike të SHBA-së në Somali dhe Irak — dy vende që kanë qenë kyçe në përpjekjet kundër terrorizmit të SHBA-së — dhe “riformësimin” e posteve të tjera diplomatike.
Nuk është e qartë nëse Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka miratuar mbylljet e propozuara.
Ndryshimet e propozuara vijnë në kuadër të një reforme më të gjerë të pritur në agjencinë diplomatike të SHBA-së, ndërsa administrata, e nxitur nga Departamenti për Efikasitetin e Qeverisë (DOGE) i mbështetur nga Elon Musk, po ndërmerr hapa drastikë për të zvogëluar qeverinë federale.
CNN raportoi në muajin mars se Departamenti i Shtetit po ndërmerrte hapa për mbylljen e disa prej konsullatave të përmendura në dokumentin e brendshëm.
Ndryshe, ambasadat dhe konsullatat shërbejnë si pika të rëndësishme për Departamentin e Shtetit. Ato ofrojnë shërbime si përpunimi i vizave dhe ndihmë për qytetarët amerikanë në nevojë. Po ashtu, mbledhin informacion për ta dërguar në Uashington, dhe zyrtarët thonë se janë mjete të rëndësishme diplomatike ndërsa SHBA përpiqet të kundërpeshojë vende si Kina. Shumica e konsullatave nuk kanë staf të madh.