Trump distancohet nga raporti se ai miratoi planet e su*lmit ndaj Iranit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është shfaqur duke u distancuar me zemërim nga një raport lajmesh që pretendonte se ai ka miratuar planet e sulmit që do çonin SHBA-në të bashkohet me sulmet e Izraelit kundër Iranit, transmeton Anadolu.

“Wall Street Journal nuk e ka idenë se çfarë mendoj unë në lidhje me Iranin”, tha Trump në platformën Truth Social.

Ai nuk specifikoi saktësisht se në përgjigje të cilave raporte ishte postimi i tij, por Journal dje raportoi se Trump u ka thënë zyrtarëve të lartë se ai ka miratuar planet për të sulmuar Iranin, por ende nuk ka dhënë urdhrin përfundimtar për t’i zbatuar ato.

“Trump po pret të shohë nëse Irani do të braktisë programin e tij bërthamor”, raportoi gazeta, duke cituar persona anonim të njohur me çështjen.

Gazeta tha se objekti i pasurimit Fordow i Teheranit, i fshehur thellë nën një mal, është një objektiv i mundshëm, por goditja e tij do të kërkojë armët më të fuqishme në arsenalin e SHBA-së.

Dje, Trump u tha gazetarëve se akoma nuk ka vendosur nëse do të autorizojë ushtrinë të bashkohej me fushatën e vazhdueshme të Izraelit kundër Iranit, duke theksuar se “mund ta bëj, mund të mos e bëj”.

“As unë nuk dua të luftoj. Por nëse është një zgjedhje midis luftimit dhe atyre që të kenë një armë bërthamore, duhet ta bësh atë që duhet bërë dhe ndoshta nuk do të na duhet të luftojmë. Kam ide se çfarë të bëj. Më pëlqen të marr një vendim përfundimtar një sekondë para se të vijë koha”, tha Trump në Zyrën Ovale.

Presidenti amerikan gjithashtu tha se java e ardhshme do të jetë “shumë e rëndësishme” derisa po mendon për vendimin e tij, duke shtuar se kjo mund të kërkojë pak kohë.

Journal raportoi se Trump shpreson që kërcënimet e tij për t’u bashkuar me fushatën e Izraelit, tani në ditën e saj të shtatë pa shenja të zbutjes derisa Irani vazhdon kundërsulmet e tij, do ta detyrojnë Iranin të braktisë programin bërthamor.

Armiqësitë filluan të premten e kaluar kur Izraeli nisi sulme ajrore në disa lokacione në të gjithë Iranin, duke përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, pas çka Teherani nisi sulme hakmarrëse.

Autoritetet izraelite kanë njoftuar se të paktën 24 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur që atëherë në sulmet iraniane me raketa.

Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave iraniane, të paktën 585 persona janë vrarë dhe më shumë se 1.300 të tjerë janë plagosur në Iran nga sulmet izraelite.

The post Trump distancohet nga raporti se ai miratoi planet e su*lmit ndaj Iranit appeared first on Kosovapost.net.